Mbi 170 euro për një poç elektrik

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, të mërkurën ka nisur publikimin, siç tha, të aferave korruptive të ish-kryetarëve të komunave të Maqedonisë së Veriut, kuadro të Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Nisma e opozitës maqedonas vjen tre muaj pas zgjedhjeve lokale, në të cilat VMRO-ja fitoi shumicën e komunave. Tani kjo parti tha se “po zbulon skandalet në punën e ish-kryetarëve të komunave.

Kjo parti akuzon Velimir Smilevskin, ish-kryetarin e Butelit, një komune urbane të Shkupit, për shpërdorim të rreth 190 mijë euro në një tender për ndriçimin rrugor në këtë komunë.

Sipas VMRO-DPMNE-së, kjo komunë, tenderin që parashihte çmime të ulëta për disa prodhime për energji ia kishte ndarë kompanisë “Previz” nga Shkupi, por në vend të çmimeve të ulëta, komuna, siç pretendon VMRO-ja, ka paguar çmime shumë të lartë. Për shembull për një poç elektrik që kushton 1.8 denar apo rreth 3 centë, ajo ka paguar 10,881 denarë, apo 176 euro. Sipas VMRO-së, çmimi i tenderit ka qenë 6,000 herë më i shtrenjtë sesa çmimi real.

Pagesa të ngjashme, sipas kësaj partie, janë paguar edhe për prodhime tjera për ndriçimin rrugor.

“Ka dyshime të bazuara dhe kemi fakte se pajisjet e shtrenjta gjithmonë kishin prioritet gjatë blerjes dhe në këtë rast përveç se janë keqpërdorur tenderët, janë harxhuar edhe shuma të majme të parave për pasurimin e personave të caktuar”, ka deklaruar Mile Letkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.