Mbi 100 mjekë dhe infermierë duan të largohen nga vendi dhe të angazhohen nëpër spitalet e Gjermanisë. Ata shprehen të pakënaqur si nga kushtet, nga paga por edhe nga respekti i cili nuk ekziston më ndaj mantelit të bardhë, njofton Alsat M.
Qendra gjermane “Opportunity” e cila mundëson trajnimin e mjekëve tanë të cilët duan të punojnë në Klinikat Gjermane, sot qëndroi në Shkup për të njoftuar mjekët e interesuar me kushtet që kërkohen për punësim në Gjermani. Në mesin e të interesuarve ishin edhe mjek me përvojë dhjetëra vjeçare, e që kishin ndarë mendjen se më nuk duan të jenë pjesë e sistemit tonë shëndetësor. Përfaqësuesit e kësaj qendre si dhe punëdhësit thonë se interesimi i mjekëve vendor është i lartë.
Nga viti në vit sa vjen e rritet numri i mjekëve dhe infermierëve të cilët lëshojnë vendin. Nga ana tjetër shumë mjekë të diplomuar nuk gjejnë punë krahas nevojës së madhe. Të dhënat e fundit të Odës së Mjekëve kanë treguar se nga 220 studentë të mjekësisë të cilët diplomojnë, 173 prej tyre kërkojnë të punojnë në shtete e Bashkimit Evropian. Pavarësisht këtij alarmi, sistemi shëndetësor assesi të zbatojë reforma thelbësore.