Mbeturinat, kontakti i parë i turistëve me Kodrën e Diellit

Vendndodhja e grumbullimit të mbeturinave në Kodrën e Diellit është lokacion jo i qëlluar, pasi të njëjtat gjenden në hyrje të qendrës turistike. E kur këto të fundit grumbullohen në masë më të madhe dhe nuk pastrohen në kohë, krijojnë imazhe që japin një pasqyrë negative për Kodrën e Diellit.

Takimi i parë i turistëve që vijnë në Kodrën e Diellit është me mbeturinat të cilat gjenden në hyrje të kësaj të fundit. Kërkesa e bizneseve që operojnë në këtë qendër turistike është që të njëjtat mos të jenë aty por diku tjetër. Imazhet negative me grumbuj mbeturinash krijohen zakonisht gjatë ditëve të fundjavës dhe gjatë festive të fund vitit. Praktika deri më tani ka treguar se zgjidhje e përhershme nuk është gjetur.

Drejtori i Elemit, Adem Avziu, i pyetur për atë se është në plan ndonjë pike tjetër ku të hidhen mbeturinat tha se kjo është pasqyra kryesore e turistëve kur vijnë në Kodrën e Diellit.

“Do ju kisha lutur këtë pyetje të ja parashtroni institucioneve komunale, konkretisht ndërmarrjes për mirëmbajtjen e mbeturinave apo nëse ka nevojë deri te kryetari i Komunës Bilall Kasami të cilët janë kompetent për këtë punë dhe ata mendoj se duhet t’i menaxhojmë më së miri këto punë, pasi ne veç më edhe i kemi turistët e parë në qendrën e turizmit.” tha Adem Avziu.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” thanë se për shkak mungesës së lokacioneve të reja  për vendosje të kontejnerëve nuk kanë vendosur pika të reja sepse siç thonë ata në qoftë se vendosin te parkingu apo ndonjë lokacion në brendësi të qendrës turistike atëherë  nuk do kenë qasje për të bërë bartjen çdoherë dhe do të shkaktohen minideponi, shtojnë se prandaj kanë  problem me lokacionet.

“Me fillim e sezonit dimëror sipas planit të NPK Tetova është paraparë që barjta e mbeturinave në Kodrën e diellit të bëhet më shpesh, edhe atë dy herë në javë, edhe atë ditën e Hënë dhe të Premte, dhe sipas thirrjeve edhe ditë tjera. Gjatë festave fund vitit bëjmë bartjen e mbeturinave çdo ditë për shkak rritjes së vizitave nga ana e qytetarëve”, thanë nga NPK “Tetova”.

Nga atje shtuan se momentalisht në Kodrën e diellit kontejnerët relativisht janë të ri, mirëpo sipas nevojës do të zëvendësohen do të servisohen apo zëvendësohen me të ri.

Nga Komuna e Tetovës thanë se janë në fazën e identifikimit të problemeve të shtresuara me vite dhe se janë tërësisht të angazhuar për të gjetur zgjidhje për secilin problem që shfaqet për shkak të keqmenaxhimit të mëparshëm.

“Ne jemi të përkushtuar dhe të angazhuar për zgjidhje. E një njëjta gjë vlen edhe për mbeturinat. Pra, shumë shpejt do të kemi një zgjidhje.” thanë nga Komuna e Tetovës.
Sezoni i skijimit për këtë vit në Kodrën e Diellit filloi të mërkurën me 15 dhjetor.

Ndryshe, procedura për ndarjen e “ELEM Turs” nga  Elektranat e RMV-së  ende nuk ka përfunduar. Drejtori i Elemit, Avziu tha tha se janë procedura administrative të cilat nuk mund të precizohen kur do mbarojë pasi duhet të kalojnë në disa institucione.

Vazhdon të mbetet e paqartë për qytetarët se kush do jetë investitori i cili do e merr me koncesion menaxhimin e Kodrës së Diellit, sepse për këtë nuk ka informata të detajuara nga Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë. Ministria e Ekonomisë thotë se procedurat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare juridike për Kodrën e Diellit në vlerë prej 50 plus 50 milionë euro janë në fazën përfundimtare, por nuk jep detaje për investitorin pasi sipas tyre ky është investim strategjik dhe kjo është në interes të procedurës. Ata presin që me investime të tilla të rritet oferta turistike në RMV dhe në këtë mënyrë Kodrës së Diellit t’i rikthehet shkëlqimi që meriton./Portalb