180 shtetas të kthyer nga Italia po vendosen në Karantinë shtetërore. Nga Qeveria bëjnë të ditur se të njëjtit do të vendosen në Strugë për 21 ditë. Alsat mëson se gjatë fundjavës që lamë pas 2 shtetas të Maqedonisë së Veriut të ardhur nga Sllovenia dhe Emiratet e Bashkuara kanë rezultuar pozitiv në CoVid-19. Ministria e Jashtme akoma nuk ka një përgjigje nëse ndaj shteteve të cilat lëshojnë qytetarë të infektuar do të ndërmerren hapa të duhura diplomatike.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë sistemuar edhe 142 qytetar të tjerë në karantinë shtetërore. Numri më i madh i tyre është nga Gostivari, përkatësisht 125 prej tyre.
Në fundjavë mbi 840 qytetarë kanë lëshuar karantinën shtetërore. Pas qëndrimit dy javorë, të njëjtit obligohen që në 14 ditët e ardhshme të qëndrojnë në vet-izolim. Për të garantuar këtë masë, qytetarët e dalë nga karantina kanë nënshkruar deklaratë që do të respektojnë masën, ndërsa policia do t’i inspektojë në rast se shkelin masat.
Aktualisht në 23 objekte për karantinë shtetërore ndodhen mbi 1700 qytetarë. Numri më i madh i tyre është nga Shkupi, më pas Ohri me Strugën, Manastiri dhe Kavadarci. Pikat kufitare më të frekuentuara nga shtetasit që kthehen dhe vendosen në karantinë shtetërore janë Qafëthana, Tabanoci, Bllaca dhe Deve Bairi, ndërsa numri më i madh i qytetarëve janë kthyer përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.
Adrian Kerimi