Mbërrin në Durrës nëndetësja turke. Një hap më shumë drejt bashkëpunimit Shqipëri-Turqi !

Nëndetësja turke TCG GÜR S-357 ka mbërritur në Shqipëri, ndërsa do të qëndrojë e ankoruar në Portin e Durrësit për disa ditë me radhë.
Nëndetësja e cila mban flamurin turk, por edhe flamurin shqiptar si vend pritës, u ankorua mëngjesin e kësaj të enjteje në Portin e Durrësit, ndërsa u prit nga përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë.
Në pritjen e nëndetëses ishin të pranishëm atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë në Shqipëri, kolonel Şakir Cumhur Somer, përfaqësues të Shtabit të Forcës Detare të Shqipërisë, ushtarakë turq dhe shqiptarë, të cilët i uruan mirëseardhjen personelit të nëndetëses.

TCG GÜR S-357 do të qëndrojë në Durrës deri më 18 mars, ndërsa do të vizitohet në ditët në vazhdim nga përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri dhe zyrtarë shqiptarë. Ajo do të vizitohet gjatë ditës së nesërme edhe nga përfaqësues të institucioneve lokale në qytetin e Durrësit.

Nëndetësja turke TCG GÜR S-357 ka ardhur në Portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë, ndërsa me vizitën e saj synohet që të thellohet edhe bashkëpunimi në fushën ushtarake mes dy vendeve.

Nëndetësja është e gjatë 62 metra, e gjerë 6.2 metra dhe peshon 1400 tonë, ndërsa personeli i saj përbëhet nga 45 persona.

Në vitet e fundit Shqipërinë e kanë vizituar disa nëndetëse turke, në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ushtarak midis Turqisë dhe Shqipërisë, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar Porti i Durrësit u vizitua edhe nga Fregata TCG ORUÇREİS (F-245) e Forcave Detare të Turqisë.