Mbërrijnë dozat e para të vaksinave anti-COVID në Gostivar

Dozat e para të vaksinave antiCOVID-19 AstraZeneca, kanë mbërritur në qytetin e Gostivarit. Bëhet fjalë për 500 doza të cilat i janë dhuruar Shtëpisë së Shëndetit, institucion i cili do ta zhvillojë vaksinimin anti-covid, kur të fillojë imunizmi në Gostivar. Ata kanë mbëritur pasditën e sotme nga Shkupi dhe ruhen në firgoriferë në temperaturë e cila duhet të jetë mes 2 dhe 8 gradë Celisus. Mjekët sigurojnë se vaksina është e sigurtë dhe nuk shkakton efekte anësore. Mjekja Dafina Bogdanovska, njëra nga personeli mjekësor në Gostivar që do të merret me imunizimin e popullatës sqaron se efikasiteti i Astra Zeneca pas dozës së dytë është 82 përqind.

“Sot i kemi pranuar vaksinat nga Astra Zeneca me prejardhje nga Oksford, Mbretëria e Bashkuar. Kemi marrë 500 doza. Dua të sqaroj se vaksinat jepen në dy doza dhe efikasiteti i vaksinës me dozën e parë është 69 përqind, kurse me pranimin e dozës së dytë 82 përqind. Dua të theksoj se vaksinat nuk shkaktojnë ndonjë sëmundje dhe dua ta sqarojmë këtë për opinionin më të gjerë dhe ata që planifikojnë të vaksinohen, por vetëm e përgatit organizimin për të lu*ftuar kundër Covid 19”, deklaron mjekja Dafina Bogdanovska.
Për zhvillimin e vaksinimit, Shtëpia e Shëndetit ka siguruar edhe një hapësirë të veçantë dhe ka trajnuar ekipe që do të merren me imunizimin.

“Vaksinimi do të zhvillohet te Shtëpia e Shëndetit në Gostivar dhe kemi siguruar hapësirë adekuate për vaksinim kundër Covid 19. Kemi ekipe dhe ato janë të përgatitur për dhënien e vaksinave. Të gjithë të interesuarit për vaksinim duhet të drejtohen te mjeku i tyre amë, pasi aplikimi për vaksinim ka filluar dhe mjekët amë kanë lista me pacientët e tyre të cilët janë të interesuar për pranimin e vaksinës. Ata duhet të paraqiten te mjeku amë, kurse ky i fundit do ti njoftojë përmes “Termini im” se kur do të fillojëm me vaksinim”, deklaron mjekja Dafina Bogdanovska.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar, Jamin Sinani sqaron se më së voni me imunizimin e popullatës do të fillohet nga e premtja e kësaj jave. Ai tha se deri më tani ka rreth 6.000 qytetarë nga rajoni i Gostivarit që kanë aplikuar online ose përmes mjekut amë për vaksinim. Imunizimi do të bëhet sipas listës prioritare dhe do të fillohet me të moshuarit mbi 75 vjeç. Ndryshe, dozat që sot i pranoi Gostivari janë nga kontigjenti i fundit me vaksina që vendi ynë i mori përmes sistemit Kovaks ku kishte mbi 20.000 doza.