Kylian Mbappe është grumbulluar me Kombëtaren e Francës për ndeshjet e radhës kualifikuese të Euro 2024, por rrjeti ende zien në lidhje me të ardhmen e tij. Dje sulmuesi doli në një konferencë për mediat para ndeshjes që “Gjelat”do të luajnë ndaj Gjilbratarit.
Mbappe foli edhe një herë për vendimin për të mos rinovuar deri në verën e vitit 2025, një lëvizje, që e njoftoi përmes një letre zyrtare të dërguar në klub. Ai është i çuditur përse kjo letër ka marrë përmasa kaq të mëdha, teksa tregon se cili është plani i tij për të ardhmen.
“Sinqerisht, nuk besoja se do të ofendoja ndokënd me anë të një letre. Ishte vetëm një letër, nuk e mendoja së një letër mund të ‘vrasë’ njeri. Në këtë moment kam vetëm një opsion për të ardhmen, të qëndroj tek PSG.
Në planin tim do të jem me skuadrën sapo të nisin përgatitjet për sezonin e ri. Presidenti Emmanuel Macron nuk do të ketë asnjë ndikim në vendimin për të ardhmen time, ai dëshiron që unë të qëndroj te PSG. Dhe, në fakt unë do të qëndroj, pra jemi në të njëjtin krah.
Njerëzit do të flasin, do të kritikojnë, por unë e di se çfarë do të bëj dhe se çfarë do të them. Shumë veta flasin, por nuk kanë informacionin e duhur”, u shpreh Mbappe në fjalën e tij, duke lënë të kuptohet se në klub ka shumë prapaskena, që e kanë shtyrë të marrë këtë vendim.
Klubi i PSG ndihet i tradhtuar nga sulmuesi për shkak se pritej që ai të rinovonte edhe për një sezon, në mënyrë që të shitej në verën e ardhshme. Francezi nuk ka zgjedhur këtë version. Ai thotë se dëshiron të qëndrojë dhe të ikë në verën tjetër si lojtar i lirë, por PSG e ka nxjerrë në shitje.