Mbappe është gati për ndeshjen kundër Holandës, do të luajë me një maskë speciale

Selektori i ekipit kombëtar francez, Didier Deschamps, sot deklaroi se beson që Kylian Mbappe do të luajë në ndeshjen kundër Holandës në raundin e dytë të grupit D në Kampionatin Evropian në Gjermani, raporton AP.

Mbappe theu hundën para tre ditësh në fund të ndeshjes kundër Austrisë në raundin e parë të grupit D në një duel me përfaqësuesin austriak Kevin Danso. Franca e mundi Austrinë me rezultat 1:0.

“Gjithçka po shkon mirë pas shokut që përjetuam. Dje kishte një stërvitje më të lehtë dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe sonte. Gjithçka po zhvillohet në drejtimin e duhur. Do të bëjmë çmos që ta kemi në dispozicion për ndeshjen e nesërme,” deklaroi Deschamps.

AP raporton se Mbappe ka stërvitur me ekipin me një maskë në fytyrë. “Kylian do të mbajë maskë në ndeshjen kundër Holandës,” shtoi selektori francez.

Ndeshja ndërmjet Francës dhe Holandës do të luhet nesër në orën 21:00 në Leipzig.