Mbanin të mbyllur shtetasen e Italisë në një apartament në Ohër, paraburgim për dy të rinj

Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka nisur procedurë ndaj dy personave, të moshës 19 dhe 20 vjeçe, për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer veprën penale “privim i paligjshëm i lirisë”.

Dy të dyshuarit veprën penale e kanë kryer më 3 qershor të vitit 2020 duke ia ndaluar në mënyrë të paligjshme kufizimin e lëvizjen shtetases së Republikës së Italisë.

I dyshuari i parë, i cili kishte leje qëndrimi të përkohshme në Itali ka mbërritur në vendin tonë së bashku me shtetasen e Italisë, me qëllim që ta bindte atë të martohej me të dyshuarin e dytë nga Shkupi, një i afërm i të dyshuarit të parë, që më pastaj të largohej për në Itali.

Pas mbërritjes, të dyshuarit e kanë mbyllur viktimën në një apartament në Ohër dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Ngjarja është raportuar nga Ambasada e Republikës së Italisë, pas së cilës të dyshuarit janë gjetur dhe janë arrestuar.

Me kërkesë të Prokurorisë Publike, Gjykata themelore në Ohër ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 8 ditëve për dy të dyshuarit për shkak të rrezikut për ikje ose përsëritje të veprës.