Mavraj gjen rrugën për në xhami/ Futbollisti tregon izolimin në Gjermani, stërvitjen dhe ditët e para të Ramazanit


Ndërkohë që në shumë shtete të Europës pritet të rifillojë stërvitja, në Gjermani prite të rifillojë shumë shpejtë kampionati pasi stërvitja prej kohësh zhvillohet madje me grupe. Mërgim Mavraj, futbollisti i Fyrthit në Bundesligën 2 në një intervistë për Top Channel, na tregon më tepër se si është përjetuar kjo periudhë pandemie në jetën e tij private dhe atë sportive.

Po stërvitem më shumë se gjatë kampionatit sepse po na zhvillojnë shumë seanca stërvitore. Kemi mundësi që të dalim të vrapojmë jashtë, pasi në Gjermani lejohet apo kemi patur mundësi edhe të stërvitemi në fushën e blertë në grupe të vogla. Për dy javë jemi stërvitur në grupe me 4 lojtarë, por që prej 10 ditësh tani jemi një grup 12 lojtarësh që stërvitemi. Ne këtu jemi shumë pranë rikthimit të kampionatit.

Por veç pjesës sportive, Mërgim Mavraj njihet dhe si një besimtarë i devotshëm i fesë islame dhe sigurisht që ky muaj i Ramazanit ashtu si për çdo mysliman është shumë i rëndësishëm edhe për të.

Ramazani është Ramazan. Për mua personalisht është një gjë mbi të gjitha. Tani Ramazani duket sikur ka ardhur në një periudhë shumë të përshtatshme për t’i larguar njerëzit nga frika e kësaj situate.

Por për Mavrajn nuk është edhe aq ndryshe ky Ramazan, pasi ai ndryshe nga shumë besimtarë mes a duket e ka gjetur rrugën për t’u falur në xhami.
Në disa xhamia këtu lejohet me u fal vetëm kryesia, që do me thëne lejohet me u fal rreth 6 vetë sa për me kryer obligimin fetar. Edhe unë me ndonjë shok të ngushtë, me ndonjë hoxhë të ngushtë, më është mundësua edhe mua ndonjëherë, jo gjithmonë, por ndonjëherë me u fal në xhami.
Ndërkohë që skuadra e Fyrthit është një rikthim për Mavrajn.

Arsyeja përse jam rikthyer në Fyrth është se kam një kontratë që pasi të mbyll karrierën këtu si futbollist të kaloj në menaxhim. E kam firmosur kontratën atëherë 3-vjeçare për futbollist dhe 7 vjeçare për pas futbollit.

Ndërkohë si kapiten i kombëtares në ndeshjet e fundit, për 34-vjeçarin, rikthimi tek fanella kuqezi po bëhet gjithmonë edhe më i zbehtë për të mos thënë i pamundur.

Që nga ndeshja e fundit që luajtëm në Paris, kur u mundëm 4-1 nuk kam luajtur më. Edhe ajo ndeshje e fundit për mua mbahet mend me shumë gjëra negative, në lidhje me personin tim jo vetëm si pjesë e një skuadre që u mundëm. Normalisht që kombëtarja i mungon çdo lojtari që e ka shiju ndonjëherë. Por sa i përket të ardhmes e kam shumë të vështirë të komentoj, në 6 muajt e fundit kam patur shumë dëmtime dhe nuk pata mundësi që të vija në kombëtare, tani kam ardhur në një moshë që më duhet më shumë pushim për t’u rikuperuar. I kuptoj gjithashtu trajnerët që kanë dëshirë me filluar me një cikël të ri me afru lojtar të ri, sepse e ardhmja e kombëtares nuk është Mërgim Mavraj, por janë disa emra të tjerë dhe për këtë jam shumë realist për me kuptuar.