Maskat që mbrojnë nga COVID-19, shkaktojnë sëmundje të tjera

Për shkak të parandalimit të infektimit me COVID-19, në Kosovë dhe në shumë shtete të tjera është bërë e detyrueshme mbajtja e maskave. Derisa janë të rëndësishme për mbrojtje ndaj virusit, këto maska po konsiderohen shkaktare të problemeve në mushkri, pengesës me frymëmarrje, alergjisë e problemeve tjera. Personat me probleme në mushkri e fëmijët po preferohet që mos t’i përdorin ato.

Shumë të rëndësishme për parandalimin e infektimit me koronavirus, por të rrezikshme për sëmundje tjera. Vendosja e maskës, e cila është bërë e detyrueshme në Kosovë, përkundër që mund të parandalojë infektimin e një personi me koronavirus, po vlerësohet se mund të shkaktojë probleme shëndetësore te disa persona.
Aq më shumë, vendosja e maskave për një kohë të gjatë nga personat me probleme të mushkërive e fëmijët po vlerësohet të jetë shumë e dëmshme.

Eksperti kosovar i Shëndetësisë në Gjermani dhe koordinatori i pandemisë në Institutin e Shëndetësisë në Pforzheim, Halil Krasniqi, ka thënë për Express se për njerëzit me sëmundje të mushkërive dhe për fëmijët, mbajtja e maskës mund të shkaktojë çrregullime në balancimin e oksigjenit dhe dioksidit të karbonit.
Sipas tij, mbajtja e gjatë e maskave mund të shkaktojë alergji, pengesa në frymëmarrje e rikthimin e dioksidit të karbonit në mushkëri. Ndërsa, te personat e sëmurë me probleme kardiorespiratorike mund të shkaktoj alivanosje asfiksive.

“Përdorimi i gjatë i maskave kërkon kujdes të veçantë. Njerëzit me shëndet të dobët dhe fëmijët duhet të heqin maskat çdo orë apo gjysmë ore nga fytyra, që të kenë mushkëritë mundësi furnizimi me oksigjen. Unë për këtë kam dy këshilla. E para: Nëse vëreni se e keni të vështirë të merrni frymë, është e rëndësishme të merrni frymë i qetë e i kontrolluar. Së dyti, largoni maskën herë pas herë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka deklaruar se personat të cilët vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive por dhe nga sëmundja kardio-pulmonale, nuk janë të detyruar që të mbajnë maskën ngase dëmtohet shëndeti i tyre, por që ata duhet të kenë kujdes nga distanca sociale dhe të qëndrojnë më gjatë në shtëpi.

Ndërsa, derisa shumë qytetarë po përdorin maska të qepura me material tekstili, ai ka thënë se nuk është e sigurt nëse ato do të mbrojnë nga infeksionet virale bakteriale, andaj edhe qytetarët duhet të kenë kujdes.
“Përdorimi i materialit apo qepjes së maskave udhëzohet, por kryesisht preferohet që të përdoret materiali i pambukut të bardhë. Kështu që të pastrohet rregullisht në temperaturat 60 deri në 95 gradë Celcius dhe të përdoret prapë. Por një përdorim i këtyre maskave nuk garanton mbrojtje të sigurt nga infeksioni”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, pulmologu Flamur Marku, ka thënë për Express, se personat me sëmundje të mushkërive duhet t’i shmangen ambienteve ku patjetër duhet të përdoret maska.
Ai ka thënë se përdorimi i maskës është problem për këta persona.

Mirëpo, Marku është shprehur se nuk është zgjidhje as mos mbajtja e maskave, për shkak se infektimi dhe riinfektimi me koronavirus mund tu shkaktoj probleme shëndetësore personave me sëmundje pulmonare.
“Pacientët që kanë probleme me mushkri në pamundësi s’ngopen sa duhet me oksigjen dhe vetë bartja e maskës është një problem në vete. Ata duhet të shmangin maksimalisht ambientet ku duhet të përdoret maska patjetër. Nuk është zgjedhje edhe që mos të mbajnë maskën për shkak të problemeve pulmunare e të infektohen përsëri, nëse infektohen edhe njëherë do të ishte shumë më telashe”, ka shtuar ai.

Rreziku nga përdorimi i maskës më shumë se një herë
Eksperti i shëndetësisë, Halil Krasniqi ka thënë se të gjitha maskat që duhet përdorur janë të dedikuara për një përdorim të shkurtër.

Ai ka deklaruar se maskat e operacionit apo maskat për një përdorim janë të preferuara të përdoren vetëm për një përdorim, por në raste të veçanta mund të përdoren edhe disa herë.
“Përdorimi i maskës së operacionit lejohet për një ditë dhe nëse disa herë brenda ditës hiqet dhe vihet prapë duhet të tërhiqet më duar të dezinfektuara dhe vetëm në lidhësen e maskës dhe jo nga sipërfaqja para apo brenda maskës. Nëse maska është e lagur e cila shpesh nga frymëmarrja krijon lagështi, duhet të hiqet, të thahet dhe nëse duhet përdorur prapë mund të pastrohet në lavatriqe 60 deri në 95 gradë Celsius dhe të përdoret prapë°”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka treguar se fëmijët deri në moshën 6 vjeçare nuk janë të detyruar të mbajnë maska.
“Këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm ngase maskat janë më të mëdha se sa fytyra e fëmijëve dhe kështu duhet kontrolluar rregullisht mënyrën e përdorimit të maskës së fëmijëve. Maska te fëmijët nuk guxon të përdoret për një kohë të gjatë ngase dioksidi i karbonit i cili lirohet nga goja dhe hunda mund të rikthehet prapë dhe kështu që mushkëria të mos furnizohet mjaftueshëm me oksigjen”, ka shtuar ai.

Për përdorimin e maskave ka pasur mendime të ndryshme. Vendosja e tyre gjatë pandemisë COVID-19 është parë shumë e rëndësishme në parandalimin e infektimit, mirëpo mbajtja e tyre për një kohë të gjatë nuk është e preferueshme.