Klodian Ciruna rezulton një mashtues serial në skedarët e policisë, por ai ka arritur t’i shpëtojë sistemit të drejtësisë.
41-vjeçari nuk ka mashtuar vetëm 3 ndërtuesit, që arriti t’u merrte një milion euro me premtimin se do t’iu siguronte leje ndërtimi.
Sipas burimeve konfidenciale, disa vite më parë Ciruna ka mashtruar edhe njerkun e tij, duke arritur t’i marrë një shumë prej 750 mijë eurosh, me premtimin se do e ndihmonte për të marre lejet koncesionare dhe për të ndërtuar një hidrocentral.
Po sipas burimeve, viktimë e këtij mashtruesi ka rënë edhe një shtetas italian, të cilit ka arritur t’i marrë 37 mijë euro për blerjen e një apartamenti në Tiranë.
41-vjeçari Ciruna hiqej si biznesmen me lidhje të forta me zyrtarë të lartë në qeveri e pushtet vendor, dhe pretentonte se operonte me një nga studiot e Avokatisë në Milano, duke dërguar “e-mail”-e false në emër të studios dhe personave të tjerë.
Gjithashtu, për të kamufluar veprimet e tij dhe për të qenë më bindës, Ciruna ka bërë kontrata noteriale fiktive, si dhe ka krijuar përkohësisht një kompani “Call Center”, me aktivitet në fushën e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, si dhe jashtë saj, të cilën më pas e ka mbyllur.
Ditët i kalonte në ambientet e disa lokaleve në bllok, ku tavolinë më tavolinë tregonte aftësitë e tij si sekser. Goditja më e fundit ishte ndaj 3 ndërtuesve, të cilëve iu mori një milion euro.
41-vjeçari Klodian Ciruna, i arrestuar nga Krimi Ekonomik në Policinë e Tiranës, akuzohet për veprën e “mashtrimit me pasoja të rënda” dhe rrezikon deri në 15 vite burgim.