Deri te Ministria e punëve të brendshme nuk ka arritur asnjë denoncim për rastin e keqpërdorimit të fotografisë të djaloshit 10 vjeçar Olti. TV21 ditë më parë kontaktoi me familjen e Oltit 10 vjeçar i cili u bë viktimë e keqpërdorimit në rrjetet sociale. Në fotografinë e Oltit kishin shkruar emër të rrejshëm, Altoni nga Kumanova, se vuan nga një sëmundje e veshkave dhe se i duhen 4 mijë euro për shërim. Kryefamilijari Argjend Paçarizi tha se rastin do ta denoncojë në Suedi.
“Ju informojmë se deri në këtë moment deri në SPB Kumanovë nuk është lajmëruar një rast i tillë. Ju lutemi të na dërgoni të gjitha informacionet që ta hetojmë rastin në fjalë”, thonë nga SPB-Kumanovë.
Në grackë ra një person nga Kumanova i cili kishte besuar se fëmiu është i sëmurë dhe se e ëma është prind i vetëm dhe se ka nevojë për operacion. Personi që ra pre në grackën deshi të mbet anonim. Po na tregoj se si duket gruaja.
“Gruaja ishte me shami të gjelbër e veshur me të zeza. Më tha se jeton me qera te Lagjja Sokollanjës por më tha se për momentin gjendet te shtëpia e shëndetit në Kumanovë. Më tha që të takohemi atje. Unë shkova dhe i dhashë 200 euro. Kishte një fëmijë me vete me karrocë. Nuk i bëra pyetje por vetëm mund ta identifikoj nëse e shoh”.
I ati i Oltit dje nën ethe tregoi rastin kur kishte parë fotografinë e djalit që ishte keqpërdorur.
“E kishin marrë dhe e kishin keqpërdorur foton e djalit tim në Kumanovë. Kur e pamë na erdh shumë rëndë se djali jonë është mirë si drita dhe nuk e ka emrin Alton, nuk është 7 vjeçar. Ky është Olti, 10 vjeçar. Jetojmë në Suedi, jemi nga Kosova. Kur e pamë foton u prekëm shumë. Jemi ndjerë shumë rëndë”, deklaroi babai i Oltit, Argjend Paqarizi.
TV21 kontaktoi numrin fallco që ishte publikuar për ndihmë por i njëjti tash më ishte i bllokuar.