Masat ndaj koronavirusit mbyllen mbi 500 lokale në Shqipëri (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama paralajmëroi ditën e djeshme se në vijim të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit do të mbyllen ambientet që mbledhin shumë njerëz, si pube, disko dhe palestra.

Sot policia njofton se me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në të gjithë vendin, u mbyllën gjatë mbrëmjes së djeshme 522 lokale dhe bare, 29 palestra, 65 bilardo, 21 disko e pube dhe 18 lokale me muzike live.

Në këtë aksion u angazhuan mbi 215 Patrulla të Përgjithshme të Policisë.

Në njoftimin e saj Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pronarëve të lokaleve që të zbatojnë pa asnjë hezitim urdhrat e përcjella nga punonjësit e Policisë dhe të mos i kundërshtojnë ato, pasi moszbatimi i tyre do shoqërohet me penalitete ligjore.

“Strukturat e Policisë së Shtetit do të bashkëpunojnë me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, Institutin e Shëndetit Publik, Njësitë e Qeverisjes Vendore, Prefektët e Qarqeve dhe institucionet e tjera shtetërore që i ngarkon ligji”, thuhet në njoftimin zyrtar.