Masat anticovid kufizojnë ardhjen e mërgimtarëve

Tradicionalisht Dibra dhe vendbanimet rurale në fund vit gjatë festave të vit të rij mbushen me kurbetçarë. Por, siç ndodhi vitin e kaluar, edhe këtë vit është vendosur një pikëpyetje e madhe për ardhjen masive të kurbetçarëve. Problemi kryesor qëndron tek kufizimet që vijnë nga masat antikovid që janë prezent në vendin tonë por edhe në vendet të Unionit Evropian.

Të dhënat e Agjencive turistike që veprojnë në Dibër e që tradicionalisht organizojnë ardhjen e mërgimtarëve nga shtetet e Evropës në vendlindje, thonë se për festat e fundvitit një pjesë e madhe e mërgimtarëve që jetojnë në Itali, Austri, Gjermani, Francë etj, janë në dilemë për ardhjen e tyre në vendlindje. Sipas burimeve të njëjta problemi qëndron jo vetëm tek udhëtimet dhe transporti ndërkombëtar, hyrja në Maqedoninë e Veriut, kalimi i kufijve në Unionin Evropian por edhe tek kompanitë të cilat punojnë mërgimtarët tanë.

Shoqatat të mërgimtarëve që veprojnë në shtetet të Unionit Evropian por edhe më gjerë thonë se shumë punëdhënës ku janë të angazhuar kurbetçarët tanë kufizojnë ardhjen e mërgimtarëve në vendlindje. Ndoshta do të ketë ndryshime në prag të festave por siç thonë udhëheqësit e shoqatave të kurbetçarëve sidomos në Gjermani, Austri dhe Francë tani për tani është në pikëpyetje ardhja e tyre. Pothuajse e njëjtë është situata edhe në Zvicër, ku ka kufizime për hyrje dhe dalje, pra barriera ku kërkohet vaksinimi i dy ose tre dozave, testi PCR negativ etj.

Ndërsa sa i takon mërgimtarëve tanë nga SHBA kemi paralajmërime se një numër simbolik do vijnë për festat e fundvitit, nga që ardhja e tyre masive është gjatë stinës së verës. Festat e fundvitit kanë qenë pushimet që pjesa dërmuese e kurbeçarëve tanë që jetojnë e punojnë kryesisht në Itali, Gjermani, Zvicër, Austri e gjetiu, çdo vit i kanë shfrytëzuar për ardhjen e tyre në vendlindje respektivisht në Dibër dhe rajonin më të gjerë, meqë lidhen festat e Krishtlindjeve, të fundvitit dhe disa festa të tjera, me çka kanë u lidhen pushimet disa ditore.

Shqetësime në Dibër ka edhe tek pronarët të restoranteve, rrjetit tregtar si dhe në bizneset e tjera. Mosardhja e kurbetçarëve nga shtetet të Evropës do të shkaktojnë probleme në drejtim të punës në shumë sektore. Në Dibër dhe rajonin më të gjerë bizneset me padurim presin mërgimtarët, me që ardhja e tyre faktikisht u sjell shumë efekte financiare.

Sipas të dhënave të institucioneve kompetente ardhja e mërgimtarëve gjatë pushimeve të verës dhe pushimeve të dimrit në Dibër sjell disa miliona euro. Por barrierat që ka shkaktuar pandemia e Kovid-19, si vitin e kaluar ashtu edhe sivjet prish hesapet e biznesmenëve.