Masakra e foshnjave në Kfar Aza, gjenerali izraelit: 40 vjet shërbim, nuk kam parë diçka të tillë

Detajet e tmerrshme të sulmeve ndaj komuniteteve kufitare sapo kanë filluar të dalin në dritë, pesë ditë pasi Hamasi nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit.

Kfar Aza është një nga disa kibuci, enklavat e vogla bujqësore, që pësuan pjesën më të madhe të sulmit tokësor të Hamasit të shtunën.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) morën një ekip të CNN dhe shtyp të tjerë të huaj në vend, teksa shkonin shtëpi më shtëpi duke mbledhur të vdekurit në çanta trupash dhe duke i ngarkuar në një kamion, transmeton klankosova.tv.

Në mesin e të vrarëve në Kfar Aza kishte fëmijë, gra dhe të moshuar, tha IDF.

”Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë në karrierën time, kurrë në 40 vjet shërbim, diçka që nuk e imagjinoja kurrë”, tha gjeneralmajori, Itai Veruv për CNN të martën, vetëm disa orë pasi trupat izraelite siguruan kibucin Kfar Aza nga Hamasi.

Veruv tha se ushtarët e tij kaluan “rreth 48 orë” duke luftuar “valët e terroristëve” në rrugë dhe në komunitetet fqinje.

”Pashë qindra terroristë me armaturë të plotë, me pajisje të plota, me të gjitha pajisjet dhe të gjithë aftësinë për të bërë një masakër, të shkonin nga apartamenti në apartament, nga dhoma në dhomë dhe të vrisnin foshnja, nëna, baballarë në dhomat e tyre të gjumit”, tha Veruv. .

IDF i tha CNN se civilët “u masakruan brutalisht në një mënyrë veprimi si të ISIS”. Ai nuk mund të konfirmonte numrin e njerëzve të vrarë në Kfar Aza dhe nuk do të detajonte se si u vranë njerëzit.

Të paktën 1200 njerëz kanë vdekur në Izrael që nga shpërthimi i konfliktit, tha në një përditësim të mërkurën zëdhënësi i IDF-së nënkoloneli, Jonathan Conricus.