Marsi erdhi, rezultatet e regjistrimit të popullates ende jo! Ja çka thotë Simovski…

Rezultatet e regjistrimit do të kumtohen në fund të marsit. Ato janë ende objekt i përpunimit, sepse është puna më profesionale, sipas standardeve ndërkombëtare për këtë lloj operacionesh statistikore, tha drejtori i Entit shtetëror për statistikë, Apostol Simovski.

Në intervistë për Nova TV, Simovski tha se afati i fundit për publikimin e rezultateve të regjistrimit është 31 mars 2022, që është afati më i shkurtër që ESHS ka pasur për përpunimin e të dhënave të regjistrimit.

Ai informoi se në operacionin statistikor është angazhuar edhe një ekspert ndërkombëtar nga Komisioni Evropian. Eksperti ishte i pranishëm në të gjithë procesin e përgatitjes dhe zbatimit të regjistrimit, ndërsa merr pjesë edhe në përpunimin e të dhënave së bashku me ekipin e ESHS-së.

I pyetur nëse ka nevojë për të mbrojtur integritetin e të dhënave të Regjistrimit, drejtori i ESHS-së tha se Enti qëndron pas të dhënave që prodhon dhe publikon dhe se nuk ka nevojë të mbrohet integriteti i institucionit, jo vetëm për të dhënat e regjistrimit, por edhe për të gjitha të dhënat që prodhojnë.

“Për atë se a na beson opinioni apo jo, tregues i mjaftueshëm është numri i shfrytëzuesve të të dhënave statistikore të cilët çdo ditë e vizitojnë ueb faqen tonë dhe bazën e të dhënave Makstat dhe i shfrytëzojnë të dhënat tona”, shtoi Simovski.

Ai konstatoi se ESHS është profesionale në përpunimin e të dhënave statistikore që prodhon dhe në përpunimin e tyre respekton të gjitha standardet, procedurat dhe metodologjitë ndërkombëtare për përpunimin e të dhënave, prandaj është një statistikë zyrtare e krahasueshme ndërkombëtarisht.