“Marrin pushime mjekësore kur i kërcënojnë” – Policët në Burgun e Idrizovës cak i të burgosurve, rrezikohen edhe familjarët e tyre


Në burgun “Idrizovë” ka pasur shpesh raste të shfrytëzimit të pushimeve mjekësore nga policia e burgut, konfirmon në një intervistë për “Makfax” drejtori i këtij insitucioni, Zoran Jovanovski. Kjo, siç përcjell KlanM, po ndodh në një periudhë të djegies intensive të automjeteve të policëve, ndërsa kanë pasur edhe kërcënime me jetë. Rreth 15 për qind e policisë së burgjeve aktualisht kanë pushim mjekësor, ndërsa Jovanovski thekson se “meqë mjeku amë jep pushim mjekësor, atëherë ata janë të sëmurë”.

Disa zyrtarë të burgjeve nuk i raportojnë fare kërcënimet nga të burgosurit.

“Kur pyes pse nuk raportojnë, thonë se nuk kanë probleme”, sqaron drejtori Jovanovski.

Ai thotë se kanë bashkëpunim me MPB-në dhe janë duke punuar për zbardhjen e rasteve të djegies së automjeteve.

“Kërcënime nga të burgosurit ka dhe do të ketë, po të ishin njerëz të ndershëm dhe të drejtë nuk do të kishin përfunduar prapa hekurave”, vë në dukje Jovanovski.

Sipas Jovanovskit, shumë policë përballen me kërcënime edhe për familjarët e tyre, të cilët tani janë më të ekspozuar, sidomos nga rrjetet sociale. Prania e telefonave ilegalë në burg u mundëson të burgosurve qasje në rrjetet sociale, përcjell Klan Macedonia

“Në rrjetet sociale punonjësit tanë kanë fotografi të grave, fëmijëve, kështu që të burgosurit shumë lehtë mund ta shkarkojnë atë profil dhe të zbulojnë se kush është gruaja e tij, kush janë fëmijët e tij”, shton Jovanovski.

Ka raste kur nga kërcënimet e tilla, punonjësit e policisë japin dorëheqje nga puna, prandaj sipas drejtorit Jovanovski, nëse do të rritet numri i gardianëve në burgje do të shmangej ky problem.