Marrëveshje për ta rrëzuar Qeverinë! Apasiev dhe Gashi: Kjo marrëveshje nuk do të thotë koalicion

Hristian Mickoski e quan shumicë të re parlamentare uljen në tavolinë me liderët e Besës, ASh-AAA dhe E Majta, ndërsa partitë e tjera këtë bashkëpunim e shohin vetëm si iniciativë për ta rrëzuar Qeverinë.

Afrim Gashi i Alternativës, ka thënë se fotoja është bërë për të treguar se kanë arritur që të mbledhin nënshkrimet dhe kjo është e gjitha. Ai tha se Alternativa nuk do të jetë pjesë e një Qeverie e cila distancohet nga integrimet euroatlantike.

“Kishte iniciativë për grumbullim të nënshkrimeve për interpelancë të Qeverisë, ne si parti opozitare dhe koalicion normalisht që nënshkruam dhe ne që i përfaqësojmë ato parti bashkërisht u ulëm dhe shkrepëm një fotografi që të tregojmë se nënshkrimet janë grumbulluar, ky është tani për tani, lajmi i vetëm”, deklaroi Afrim Gashi – kryetar i Alternativës.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela nuk ka folur në lidhje me situatën e krijuar ndërkaq Arben Taravari, sekretari gjeneral i kësaj partie ka shkruar në Faceboook: “Fillim i fundit të BDIzmit!”

Dimitar Apasiev nga E majta poashtu ka reaguar nëpërmjet një shkrimi, duke shtuar se ulja në një tavolinë nuk nënkupton edhe koalicion.
“Kjo marrëveshje në asnjë rast nuk do të thotë koalicion, dhe ka vetëm një qëllim – të rrëzojë regjimin hibrid të BDI-së dhe LSDM-së”, theksoi Dimitar Apasiev – kryetari i të “Majtës”.

Zaev i cili ka dhënë dorëheqje nga postet nuk është deklaruar ende, por nga partia e tij nëpërmjet një komunikatë kanë thënë se “E vetmja gjë e përbashkët në atë tavolinë është dëshira për pushtet”. Kreu i integristëve doli me një shkrim në rrjetin social Facebook. Ahmeti tha se situatën e krijuar me dorëheqjen e kryeministri Zaev po e menaxhon nëpërmjet kontaktit me të gjitha palët, SHBA, NATO dhe BE..

“Për zhvillimet aktuale jam në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimin Evropian. Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori”, potencoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Edhe Menduh Thaçi i PDSH-së, i cili ka koalicion me BDI-në për Sloboden Peçat ka komentuar faktin se si do të reflektohet në elektoratin shqiptar në bashkimi i lëvizjes BESA dhe koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa.

“Ky është një tjetër teatër i madh i atyre që realisht nuk kanë fuqi të udhëheqin proceset politike në vend. Aktorët e djeshëm që i pamë në foton me Mickoskin, thjesht ia vendosin zarin Zaevit. Ndoshta pa e ditur, por ata e bëjnë një platformë për rikthimin e tij. Qeveria e ardhshme do të drejtohet nga Zaev”, u shpreh kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi për Sloboden Peçat.

Ndryshe zhvillimet priten të vazhdojnë të hënën. Nëse Zaev nuk jep dorëheqje, opozita do të propozon iniciativën për interpelancë.