Marrëveshja për pensionet me Italinë, Rama nga Milano: Do të përfitojnë 421 mijë qytetarë shqiptarë!


Kryeministri Edi Rama, në takimin e tij me emigrantët shqiptarë në Milano është ndalur tek marrëveshja e lidhur me qeverinë italiane për njohjen e pensioneve.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se nga kjo marrëveshje e munguar përfitojnë 421 mijë emigrantë shqiptarë.

“Ne ja dolëm të vendosim më në fund, pas një përpjekjeje të gjatë 10-vjeçare, një gur të çmuar dhe të munguar që e keni merituar plotësisht”, tha Rama.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë iu drejtua të pranishmëve duke thënë se sot Shqipëria po e fiton njësoj si ju betejën e saj në kërkim të kurorës së munguar të drejtësisë, për emrin e saj, flamurin, vendin e saj, me zot me ligj dhe me zakon në familjen e shteteve të Evropës.

Rama: “421 mijë prej jush do të përfitojnë nga marrëveshja e sapo lidhur e pensioneve më Italinë, ku falë angazhimit personal të kryeministres suaj këtu, dhe një zëdhënëseje shumë e fortë e jona në BE, Giorgia Meloni, ne ja dolëm të vendosim më në fund, pas një përpjekjeje të gjatë 10-vjeçare, një gur të çmuar dhe të munguar që e keni merituar plotësisht.

Sot kam ardhur për t’ju thënë që edhe Shqipëria po e fiton sot njësoj si ju betejën e saj të drejte pa ndalur vrapin dhe duke e ruajtur të palëkundur besimin në kërkim të kurorës së munguar të drejtësisë, për emrin e saj, flamurin, vendin e saj, me zot me ligj dhe me zakon në familjen e shteteve të Evropës!”