Marrëveshja për “Maqedoninë Veriore” publikohet sot, nënshkruhet në Prespë gjatë uikendit


Republika Veriore e Maqedonisë është emri për të cilin kanë rënë dakord dy kryeministrat, kurse marrëveshja mes dy vendeve do të nënshkruhet nga Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras gjatë vikendit në Prespë, në territorin grek, njoftojnë mediat në Greqi. Megjithatë sot do të sqarohet gjithçka pas telefonatës mes dy kryeministrave, për të cilën mediat greke thonë se është biseda finale e cila do të shpie tek zgjidhja.

“Çështja e Shkupit: një hap para marrëveshjes”, ”Sot mbyllet çështja e Shkupit”, “Sot thirrja telefonike kyçe”, ”Maqedonia e Veriut emri sipas marrëveshjes”, janë pjesë e titujve në mediat greke, gjatë ditës së sotme.

Sipas informacioneve, nëse sot arrihet marrëveshje, pritet që Cipras të njoftojë së pari presidentin e shtetit e më pas liderët e partive politike për zgjidhjen eventuale.

Lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes, për shkak të agjendës së ngarkuar të dy kryeministrave dhe shefave të diplomacisë gjatë ditëve në vijim, mediat greke komentojnë se gjatë vikendit, me gjasa të shtunën do të takohen Zaev dhe Cipras në Prespë, në territorin grek dhe të zyrtarizojnë atë që do ta bisedojnë sot në telefon.

Ndërsa dje rreth një orë ka zgjatur biseda mes kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe atij grek Aleksis Cipras, dhe sipas asaj që tha Zaev në intervistën në televizionin Telma, është biseduar për detaje dhe formulime dhe se nesër sërish do të dëgjohen për të tentuar që të finalizohen të gjitha detajet për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Ai u shpreh mjaft optimist, dhe tha që beson që gjithçka po shkon në rrugën e duhur dhe që shumë shpejtë do të zgjidhet kjo çështje dhe tha që shpreson që Maqedonia po ashtu të ketë ftesë për anëtarësim në NATO.

Sa i përket asaj që u tha se ministri i jashtëm grek Nikos Kozias në një intervistë sonte pritet të shpalos detaje për marrëveshjen, Zaev tha se nuk ka informacion lidhur me këtë dhe se sapo të finalizohet marrëveshja ai do ta bëjë atë publike./Portalb