“Qëllimi i ‘One Stop Shop’ është që të bëhet ‘No stop, just go” – Zoran Zaev, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut
Kjo ishte deklarata e ish-kryeministrit Zoran Zaev, para më shumë se një viti, kur në Tiranë me kryeministrin shqiptar Edi Rama nënshkruan marrëveshjen për pika të përbashkëta kufitare me Shqipërinë. Por edhe pas më shumë se 13 muaj, kjo marrëveshje mbetet vetëm në letër dhe në pikën kufitare “Qaf Thanë” nuk është bërë asnjë lëvizje konkrete.
Nga Qeveria heshtin. Nuk u përgjigjën pyetjeve për arsyet e moszbatimit të marrëveshjes dhe nëse do të zbatohet ndonjëherë. Pa përgjigje edhe nga Kabineti i kryeministrit Edi Rama, të cilët ishin të pakapshëm për të komunikuar. ,Më 10 qershor të vitit të kaluar, kryeministrat Rama dhe Zaev, pasi nënshkruan marrëveshjen, thanë se ky është hap i rëndësishëm për tu lehtësuar qytetarëve të dy vendeve dhe mallrave qarkullim pa pengesa.
“Një marrëveshje tjetër në kuadrin e një procesi të nxitur bashkërisht të lehtësimit deri në fund të lëvizjes së lirë të njerëzve të mallrave të shërbimeve dhe të kapitaleve. Dhe kjo marrëveshje specifikisht është për pikat e përbashkëta të kalimit të kufirit që do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen mes qytetarëve të të dyja shteteve” – Edi Rama
“Më vjen mirë që sot pas këtij samiti, me të vërtet mundëm të përfundojmë një vizitë të tillë me marrëveshje të këtillë dhe të dërgojë një porosi tek qytetarët tanë, tek tregtarët që ta shfrytëzojnë ‘One Stop Shop’, ti motivoj që të bëjnë tregti dhe bashkëpunim më të madh sepse në atë mënyrë edhe jeta do të jetë më e mirë dhe më e gëzueshme për të gjithë” – Zoran Zaev.
Pika e përbashkët doganore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë premtohet me vite të tëra nga autoritetet në vend. Për momentin vendi ka pikë të përbashkët kontrolli vetëm me Serbinë, në pikën kufitare Tabanoc.