Marrëveshja e Prespës në seancën e Gjykatës Kushtetuese

Në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtohet nisma e profesoreshës Tanja Karakamisheva për Marrëveshjen e Prespës. Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Kushtetuese thuhet se “Kërkesa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave” është në rend dite. Sipas Karakamishevës, është shkelur e drejta për të ndaluar diskriminimin në bazë të kombësisë dhe e drejta për lirinë e besimit, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit sipas nenit 110 të Kushtetutës, e garantuar me dokumente ndërkombëtare.

“Parashtruesja konsideron se shkelja e të drejtave të mësipërme është kryer me nënshkrimin e një akti individual, përkatësisht nënshkrimit të “Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në Rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerjen e rëndësisë së Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik ndërmjet palëve të lidhur në Prespë (Nivicë) Greqi më 17.06.2018 ndërmjet “Palës së parë” Greqisë të përfaqësuar nga ministri i jashtëm Nikos Koxias dhe “Palës së dytë” (shteti pa emër) i përfaqësuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në rend dite të Gjykatës Kushtetuese janë tri iniciativa:

Njëra prej të cilave ka të bëjë me Vendimin për miratimin e Planit të detajuar urbanistik për Lagjen e qytetit 3 04 blloku 04.02 në Komunën Karposh – Shkup të miratuar në fund të vitit 2020.
E dyta i referohet “mbrojtjes nga diskriminimi” që qytetarët vetë të mund të përfaqësohen ligjërisht përpara një noteri ose gjykate.
Iniciativën e tretë e ka dorëzuar Sindikata e policisë në Veles, me të cilën kërkohet inicimi i procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 338 të Marrëveshjes kolektive të MPB-së.
Pas këtyre iniciativave dhe kërkesave, sot në seancë do të debatojnë pesë gjyqtarë, pasi më 14 janar i skadoi mandati gjyqtarit kushtetues Josif Josifovski. Që të mund të funksionojë, gjykatës i duhet shumicë prej dy të tretash, pra gjithsej 6 gjyqtarë, sepse gjykata merr vendime me të paktën 5 vota pro. Kjo do të thotë se me më pak gjyqtarë për çështje të caktuara mund të ketë problem në marrjen e vendimeve.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Dobrilla Kacarska paralajmëroi se mos-zgjedhja e gjyqtarëve të rinj do të shkaktojë një çekuilibër mes sulmit të mundshëm të rendit kushtetues dhe mbrojtjes së tij nga gjykata.