Marketet ju marrin punën pazareve

Në fakt, çmimet dhe cilësia diktojnë blerjen e pemë perimeve, ku çdo konsumator vendos në bazë të përvojës dhe preferencës së tij personale, zgjedh të furnizohet me prodhime bujqësore. Analizat më tej tregojnë se konsumatorët më të rinj blejnë pemë perime në markete, ndërsa gjeneratat më të vjetra edhe më tej preferojnë tregjet e gjelbra.

Blerja tradicionale në tregjet e gjelbra në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon, se vjen e më shumë po zëvendësohet me blerjen në marketet e ndryshme që joshin me ofertën e tyre të pemë perimeve të freskëta. Supermarketet e mëdha, por edhe marketet e tjera se vjen e më shumë po bëhen një konkurrencë serioze ndaj tregjeve të gjelbra. Bile shpesh lloje të caktuara të pemë perimeve, ofrohen me më shumë leverdi për xhepin e konsumatorit në markete në raport me “pazaret”.

Marketet shpesh ofrojnë çmime me aksion për patatet, mollët, limonat, bananet, etj. Në fakt, çmimet dhe cilësia diktojnë blerjen e pemë perimeve, ku çdo konsumator vendos në bazë të përvojës dhe preferencës së tij personale, zgjedh të furnizohet me prodhime bujqësore. Edhe analizat e fundit për ecuritë në tregtinë me pakicë në Maqedoninë e Veriut, tregojnë se ngadalë marketet po bëhen konkurrencë serioze ndaj tregjeve.

Anketat e fundit të Informatorit bujqësor të tregut tregojnë se shumë të rinj po blejnë në markete. Kjo shpjegohet me orarin e punës së marketeve , ku konsumatorët edhe pse ndonjë herë paguajnë edhe më shtrenjtë, zgjedhin të bëjnë pazar edhe më vonë gjatë ditës, dhe të blejnë çdo gjë në një vend dhe në dyqanin më të afërt. Gjithashtu ankesa ka edhe nga shitësit në tregjet e gjelbra se shënojnë ulje të qarkullimit apo shitblerjeve, si rrjedhojë edhe e ofertës në rritje të pemë perimeve në dyqane që po zgjerojnë me të madhe gamën e tyre të prodhimeve bujqësore. Analizat më tej tregojnë se konsumatorët më të rinj blejnë pemë perime në markete, ndërsa gjeneratat më të vjetra edhe më tej preferojnë tregjet e gjelbra.

“Gjysma apo 51 për qind e konsumatorëve janë shprehur në anketë se njësoj furnizohen me prodhime bujqësore edhe në markete edhe në tregje. Njëherësh pjesa tjetër e të anketuarve me 15 për qind prononcohen se blejnë në markete, dhe me 34 për qind blejnë në tregje“, tregojnë hulumtimet e Informatorit bujqësor të tregut. Nga ana tjetër, në analizat e viteve të kaluara të Odës ekonomike shpjegohej se mungesa e parkingut, si dhe kushtet jo të mira në tregje orientojnë një pjesë të konsumatorëve drejt marketeve. Probleme të ngjashme janë vërejtur edhe në tregjet e gjelbra në rajon.

Ndryshe, anketa e fundit tregon se në pyetjen se pse furnizoheni me pemë perime në tregjet e gjelbra, 10 për qind thonë se është më lirë, 25 për qind se preferojnë me një vend të furnizohen me pemë perime dhe 65 për qind thonë se në treg ka prodhime më cilësore bujqësore. Në pyetjen pse keni zgjedhur marketet, të anketuarit me 8 për qind janë përgjigjur se ekziston ofertë më cilësore e prodhimeve bujqësore, me 15 për qind thonë se kanë mundësi që vetë të zgjedhin prodhimet bujqësore, me 29 për qind thonë se shkak është orari i punës dhe pamundësia të vizitojnë tregjet e gjelbra dhe me 48 për qind thonë se kanë mundësi që në një vend të furnizohen me të gjithë artikujt e nevojshëm.

Në pyetjen se ku janë më të sigurta për konsum, prodhimet bujqësore, me 33 për qind janë përgjigjur se më shumë besojnë tek siguria e ushqimit në tregjet e gjelbra, me 17 për qind ju besojnë marketeve dhe 50 për qind nuk besojnë se blejnë prodhime të sigurta as në markete e as në tregjet e gjelbra.