Ushtria izraelite publikoi të shtunën një video duke thënë se forcat e saj detare penguan dhjetëra luftëtarë palestinezë ndërsa përpiqeshin të depërtonin në Izrael nga deti.
Grupi Hamas e zuri Izraelin në befasi të shtunën teksa ndërmori sulmin më të madh në dekada, me persona të armatosur që kaluan në fshatrat izraelite, vranë dhjetëra njerëz dhe morën pengje të cilët i dërguan në Rripin e Gazës. Hamasi kreu gjithashtu një sulm masiv me raketa të lëshuara nga Rripi i Gazës.
Agjencia e lajmeve Reuters tha se nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur vendndodhjen ose datën e filmimit të videos, për të cilën ushtria izraelite tha se ishte filmuar në brigjet e Izraelit jugor.
Izraeli tha se Hamasi, që ka mbështetjen e Iranit, kishte shpallur luftë ndërsa ushtria i konfirmoi luftimet me militantët në disa qytete dhe baza ushtarake izraelite pranë Gazës. Kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua se Tel Avivi do të hakmerret.
Mediat izraelite raportuan për të paktën 100 të vrarë dhe më shumë se 900 të plagosur, ndërsa në disa vende në jug të Izraelit ende vazhdojnë luftimet dhe goditja me raketa nga Hamasi.
Ushtria izraelite tha se ishte përgjigjur me sulme ajrore në Gaza. Sipas raportimeve, dëshmitarët thanë se kishin dëgjuar shpërthime të forta dhe se shumë të vdekur dhe të plagosur që po transportoheshin në spitale./Zëri i Amerikës