Marin: “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë vendin në BE, pengesat duhet të tejkalohen”

Kryministrja Finlandeze, Sana Marin e cila sot dhe nesër qëndron për vizitë në Shkup, përmes një konference për media tha se Finlanda përkrah Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugëtimin e tyre evropian.

“Pozicioni i Finlandës është shumë i qartë, ne jemi në favor të zgjerimit dhe pozicioni ynë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është shumë i qartë, ne duam që të bëhet përparim, ne duam t’i shohim të dy vendet të bëhen anëtarë të BE-së në të ardhmen dhe ne duhet të ecim përpara këtë çështje”, tha kryeministrja finlandeze.
Përgjegjësia e BE-së, sipas kryeministres finlandeze, është të sigurojë që situata të mos mbetet e ngrirë.

“Ne duhet ta diskutojmë këtë çështje së bashku me Bullgarinë dhe të sigurohemi se do të kemi udhëzime se në cilën rrugë duhet të shkojnë. Ne do të kemi një takim këtë javë për të diskutuar statusin e Ukrainës dhe Moldavisë, mendoj se është e rëndësishme të diskutojmë edhe situatën me Ballkanin Perëndimor dhe të sigurohemi që të gjitha çështjet të zgjidhen. Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që të mos ketë më probleme,” tha Marin.
Marin theksoi se pozicioni i Finlandës është ndër mbështetësit më të mëdhenj të zgjerimit të BE-së.