Maqedonia me rritjen më të dobët ekonomike në Ballkanin Perëndimor


Maqedonia këtë vit do të ketë rritjen më të dobët ekonomike në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në raportin e fundit të Bankës Botërore për vendet e rajonit, theksohet se këtë vit vendi do të ketë një rritje të PBV-së prej vetëm 2.1%.

Mali i Zi do të jetë lider me rritje gati 7%, ndërsa lëvizjet ekonomike janë solide edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia, Shqipëria dhe Kosova do të kenë rritje prej mbi 3%. Vendet që janë të varura nga importet e energjisë po kalojnë një kohë më të keqe në këtë krizë, dhe do ta kenë më të vështirë rikuperimin.

“Ndikimi fiskal i goditjes energjetike është i rëndësishëm dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për vendet e rajonit, që importojnë energjensë, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Aktivitetet ekonomike janë ngadalësuar veçanërisht në Eurozonë, e cila është kyçe për eksport të mallrave dhe kërkesës në Ballkanin Perëndimor”, tha Ksiaoking Ju – Drejtor i Bankës Botërore, për Ballkanin Perëndimor.

Banka Botërore pret që inflacioni të ulet në periudhën e ardhshme. Ajo që është inkurajuese është se ekonomistët e këtij institucioni financiar ndërkombëtar nuk presin që Maqedonia të hyjë në recesion. Sa i përket masave të qeverisë për qytetarët dhe kompanitë, banka thotë se ato janë më të lartat në rajon, por zbatimi i plotë i tyre do të kërkojë vullnet politik në Kuvend.

“Funksionimi aktual i Kuvendit mund të jetë pengesë që reformat të ecin më shpejt. Presim që qeveria të përqendrohet në lehtësimin e ndikimit të krizës tek familjet dhe firmat më të rrezikuara”, u shpreh Sanja Maxhareviq – Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore. Vlerësimi fillestar për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte se ato do të kishin një rritje të PBV-së prej 4% këtë vit.

Por kriza energjetike, rritja e çmimeve dhe paparashikueshmëria e luftës në Ukrainë kanë pasur efekte negative në ekonomitë e shteteve. Tani projeksioni përmbledhës i rritjes ekonomike për këto vende është 3.4%, që është dy herë më pak se në vitin 2021./Alsat.mk