Maqedonia e Veriut nis përgatitjet për Italinë

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut ka nisur përgatitjet për ndeshjen me Italinë të vlefshme për balotazhin për kualifikim në Kampionatin Botëror Katar 2022. Reprezentuesit u grumbulluan të dielën mbrëma në Shkup, ndërsa pasditen e kësaj të hëne kanë zhvilluar edhe stërvitjen e parë në kampin stërvitor “Petar Milloshevski”.

Ndryshim i vetëm në kampin e Maqedonisë është Erdon Daci që vjen për herë të parë në përfaqësuesen A, pasi mori ftesë nga seleksionuesi Bllagoja Milevski për të zëvendësuar Adis Jahoviqin e lënduar.
Ekspedita e Maqedonisë së Veriut të martën pasdite niset drejt Palermos aty ku të enjten në mbrëmje do të luajë ndeshjen me Italinë. Mungesë e madhe për Maqedoninë në këtë takim shumë të rëndësishëm është mesfushori i Napolit, Elif Elmas, që nuk do të mund të luajë për shkak kartonave.