Edhe pse vazhdimisht ka paralajmërime për krizë energjetike gjatë dimrit të ardhshëm, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka prezantuar ndonjë plan apo masa për kursim më efikas të energjisë elektrike. Megjithatë, një gjë të tillë ka paralajmëruar sot kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska e cila tha se, së shpejti do të shpaloset plani për kursim të energjisë.
“Qyteti i Shkupit është institucioni i parë në Maqedoni që do të del me plan adekuat me masa intervenuese për kursim dhe besoj se në ditët në vijim do ta prezantojmë para opinionit. Besoj se të gjitha institucionet duhet të jemi të përgatitura mirë para kësaj krize energjetike që vijon në valën e dytë në periudhën e dimrit menjëherë pas përfundimit të verës, duhet të jemi mirë të përgatitur dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur fillimisht të përballemi me krizën, ta tejkalojmë këtë krizë energjetike dhe më tej edhe të fillojmë kursimit, me çka do të kursehet nga harxhimi joproduktiv, përkatësisht nuk do të ketë shkurtime nga projektet që janë premtuar”, deklaroi Danela Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.
Nga ana tjetër, të pyetur nga TV Klan M se, a planifikon Qeveria shqyrtimin e masave për kursim të energjisë, nga ky institucion tha se, situata po ndiqet dhe analizohet vazhdimisht dhe sipas përqindjeve sillen masa në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.
Ndërkohë, shumica e vendeve evropiane tash më kanë publikuar planet për kursimin e rrymës. Në Francë janë prezantuar disa draft masa, me të cilat dyqanet do të urdhërohen të mbyllin dyert e tyre kur përdorin ajër të kondicionuar dhe të kufizojnë ndriçimin elektrik.
Me masat që ka prezantuar Qeveria spanjolle parashihet që, në të gjitha institucionet publike, qendrat tregtare, kinematë, hotelet, aeroportet dhe transportin publik, pajisjet e ajrit të kondicionuar të mos vendosen në një temperaturë më të ulët se 27 gradë në verë dhe më të lartë se 19 në dimër.
Ndërkohë, Qeveria e Italisë njoftoi se po harton një plan kursimi emergjent që mund të përfshijë kufizimin e ngrohjes në 19C në dimër dhe ftohjen në 27C në verë, reduktimin e ndriçimit të rrugëve gjatë natës dhe mbylljen e dyqaneve herët./KlanMacedonia