Maqedonia e Veriut e ka mposhtur Islandën 3:1 të dielën në Shkup, duke e siguruar një vend në play-off në përpjekje për të marrë pjesë për herë të parë në një Kampionat Botëror.
Maqedonisë së Veriut i duhej fitorja për ta zënë vendin e dytë në Grupin J, që siguron play-off’in, dhe shteti fqinj i Kosovës e arriti pikërisht këtë.
Gjermania, e cila e mundi 4:1 Armeninë në ndeshjen e fundit, e siguri paraprakisht kualifikimin në Botërorin Katari 2022 si fituese e grupit me 27 pikë.
Maqedonasit shkojnë në play-off si vendi i dytë në grup me 18 pikë, një më shumë se Romania që po shpresonte ende pasi e mundi Lihtenshtajnin.
Maqedonia do të kërkojë ta përsërisë suksesin e Euro 2020, ku e siguroi kualifikimin për herë të parë pasi e mundi Kosovën në play-off.