Maqedonia e Veriut do të bëhet me Agjenci për Siguri Kibernetike

Brenda dy viteve Maqedonia e Veriut pritet të bëhet me Agjenci për Siguri Kibernetike që do të merret me parandalimin e sulmeve të mundshme kibernetike. Këtë për televizionin Alsat e konfirmoi numri një i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti, i cili theksoi se ekipet pranë ministrisë që drejton ai, aktualisht po punojnë në përgatitjen e projektligjit. Aliti tha se kjo agjenci do të jetë nën menaxhimin e ministrisë por do të funksionojë si trup i pavarur i sigurisë.

“Jemi duke punuar në atë drejtim që brenda dy viteve të ardhshme të kemi një Agjenci për siguri kibernetike në nivel të shtetit, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë nën menaxhimin e ministrisë por sërish do të jetë trup i pavarur i sigurisë, i cili do ta ketë si për detyrë preventivën ndaj sulmeve të mundshme kibernetike…”, tha Admirim Aliti, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratë.

Ekspertët e sigurisë kibernetike theksojnë se siguria kompjuterike nëpër institucionet e shtetit nuk është në nivelin e duhur. Ata rekomandojnë që të sigurohen më shumë resurse në këtë drejtim dhe kjo të mos shihet si shpenzim por si investim në siguri. Nënvizojnë se serverët e vjetër të teknologjisë janë cak i sulmeve për shkak se janë më të cenueshme, ndërsa tek ato, lehtësisht mund të ndërhynte edhe një fëmijë.

“Investimi i pamjaftueshëm i institucioneve në pjesën e sigurisë kibernetike dhe aspak në pjesën e IT, investimi I pamjaftueshëm në kompjuterë, modernizim të serverëve dhe përforcim të resurseve, thjesht na bën Akoma më të cenueshëm….Targeti më i madh për sulm kibernetik momentalisht, pasiqë versionet e vjetra të teknologjisë janë më shumë të cenueshme dhe përdoren lehtë, madje edhe nga ana e fëmijëve që mësojnë nga youtube për ndonjë hakim”, tha Filip Simeonov, ekspert i IT.

Se sistemi kompjuterik i institucioneve ekspozohet çdo ditë ndaj rrezikut për ndonjë sulm të ri kibernetik pajtohen edhe përfaqësuesit e institucioneve relevante. Nga qendra kombëtare për reagim ndaj incidenteve kompjuterike, që është në kuadër të Agjencisë për komunikime elektronike vlerësojnë se ka hapësirë për një ligj të veçantë në këtë fushë.

“Sulmet mund të ndodhin në çdo moment dhe ndodhin në vazhdimësi sikurse në të gjitha vendet e tjera në botë. Kjo është një e ashtuquajtur “luftë moderne” ku shteti duhet të ketë qasje serioze dhe veprim për mbrojtje. Vlerësojmë se gjithmonë ka hapësirë për përmirësim të kornizës ligjore në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe miratimin e një ligji të veçantë në këtë fushë, dhe përcaktimin e kompetencave dhe detyrimeve të organizatave që punojnë në këtë fushë. Siguria kibernetike duhet të jetë prioriteti më i lartë për shtetin”, thonë nga MKD- CIRT / AEK.