Maqedonia e Veriut dhe SHBA nënshkruajnë marrëveshje për sigurinë dhe mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Аmbasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Kate Marie Byrnes, sot e nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Masat e Sigurisë për Mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara.

Me Marrëveshjen e rregullohet mënyra e shkëmbimit të informacioneve të klasifikuara në sferën e punëve të jashtme, mbrojtjes, sigurisë, Sundimit të ligjit, shkencës, industrisë dhe teknologjisë, me çka përcaktohen masat dhe procedurat e nevojshme për mbrojtjen e tyre.

“Me nënshkrimin e sotëm të Marrëveshjes për Masat e Sigurisë për Mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara, e pasurojmë kornizën kontraktuale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, që është edhe një konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera dhe i mirëbesimit që mbizotëron mes dy vendeve mike. Si partnerë strategjikë dhe aleatë të NATO-s, mbetemi të përkushtuar në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në drejtim të arritjes së stabilitetit afatgjatë, demokratizimit dhe prosperitetit të vendit dhe rajonit”, theksoi Osmani.
Ambasadorja Byrnes porositi se siguria varet nga shkëmbimi efektiv i informacioneve.

“Kjo Marrëveshje e përmirëson këtë komunikim vital ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo paraqet edhe një kthesë në forcimin e bashkëpunimit si partnerë dhe aleatë të NATO-s dhe në punën drejt një të ardhmeje më të sigurt, më produktive për të gjithë”, theksoi Byrnes.