Policia Financiare ka dorëzuar padi penale kundër ish-kryetarit të Komunës Qendër të Shkupit, Vladimir Todoroviq dhe dy ish-zyrtarëve të lartë të kësaj komune, për krim gjatë ndërtimit të urës “Syri”, që është pjesë përbërëse e projektit “Shkupi 2014”, për shkak se kanë dëmtuar buxhetin e komunës për 436 mijë euro.
Ndryshe, ndërtimi i urës “Syri”, që lidh dy anët e lumit Vardar tërësisht ka kushtuar 1.9 milion euro, që do të thotë një e katërta e mjeteve janë keqpërdorur, përkatësisht 436 mijë euro.
Nga Policia Financiare kumtuan se personat për të cilët kanë dorëzuar padi janë pajtuar që ta paguajnë dëmin plotësisht dhe se tanimë kanë marrë edhe konfirmim nga Komuna Qendër se të paraqiturit më 30 qershor, i kanë kthyer paratë e keqpërdorura në llogari të Komunës.
“Ata e pranuan veprën, do të thotë se kanë pranuar se kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës, por kjo nuk do të thotë se ata nuk do të përgjigjen penalisht, pra procesi është në rrjedhë”, tha drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi.
Ndërkohë, i pyetur se pse shumë pak raste për të cilat nis procedura Policia Financiare marrin epilog gjyqësor, drejtori Arafat Muaremi , fajin për këtë gjë ia ka hedhur prokurorisë.