Maqedonia dhe Kosova me kalendar të përbashkët kulturor


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi sot ka pritur në vizitë zyrtare Ministrin e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademin,i cili ka një muaj që ka marr timonin për ta udhëhequr Ministrinë e Kulturës në Maqedoni, shkruan KultPlus.

Pas këtij takimi të dy ministritë u dakorduan për zgjerimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë dhe asaj të Kosovës, ndër të tjera duke veçuar se janë dakorduar që në muajin shtator të nënshkruajnë kalendarin e përbashkët mes këtyre dy vendeve, duke thënë që këtë hap do të dërgojnë edhe më tej në krijimin e një kalendari trepalësh mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Ministri Gashi tha se ndihet i nderuar që të jetë nikoqir i vizitës së parë jashtë vendit nga ministri Ademi. Ai tutje u shpreh se qëllimi i kësaj ftesë ndaj ministrit Ademi ka qenë pikërisht thellimi i bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë atje.

Qëllimi i ftesës është thellimi i bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e kulturës dhe sot gjatë takimit u dakorduam që Ministria e Kulturës së Kosovës dhe ajo e Maqedonisë ta kenë një marrëveshje të re, të përbashkët, për aktivitetet kulturore edhe në Kosovë edhe në Maqedoni, duke e pasur gjithmonë parasysh që një numër i madh i shqiptarëve jetojnë në Maqedoni dhe Maqedonia ka një mërgatë të madhe shqiptare, jemi dakorduar që t’i autorizojmë institucionet tona të kulturës në mënyrë që të kemi aktivitete dhe data të përbashkëta”, tha ministri Gashi.

Ministri i Kulturës i Maqedonisë, Asaf Ademi tha se është nder i veçantë qe vizitën e parë zyrtare jashtë vendit e realizoi në Kosovë. Ai tha se bashkëpunimi i mirë që ka ekzistuar në mes Kosovës e Maqedonisë do të zhvillohet dhe më tepër.

Kosova me Maqedoninë, në veçanti me shqiptarët e Maqedonisë na lidhin shumë, na lidhin aspekte kombëtare, familjare, gjithashtu emocionet janë të përbashkëta gjithnjë kur flasim për temat që i përkasin sferës së kulturës. Është nder për mua që gjatë takimit me Ministrinë patëm mendime të përbashkëta lidhur me atë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë mjaft të mira dhe kanë mundësi akoma të zhvillohen, veçmas në sferën e kulturës”, u shpreh ministri Ademi.

Pas këtij takimi, të dy ministrat vazhduan me vizitë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”. / KultPlus.com