Maqedonia “bartëse” e coronavirusit në Austri dhe Zvicër

Dasmat, ahengjet familjare dhe festat pa respektim të masave dhe protokolleve nuk i mbushën vetëm spitalet e Maqedonisë me pacientë me COVID-19, por edhe spitalet e Austrisë dhe Zvicës.

Sipas analizave të autoriteteve austriake dhe zvicerane, qindra mërgimtarë të cilët pushimin e kishin në Maqedoni janë kthyer pozitiv në këto shtete. Gjendja në Tetovë dhe Gostivar mbetet e rëndë, por numrat tregojnë ulje të rasteve.

Agjencia për Shëndetësi dhe Siguri në Ushqim njoftoi se dy e treta e mërgimtarëve nga Ballkani Perëndimor janë pozitiv me coronavirus, ndërsa më së shumti raste ka Maqedonia e Veriut 866, më pas Kosova 799 raste, Kroacia 683 dhe Turqia 662.
Vetëm për një javë numri në Austri i të infektuarve është rritur për 2.500 raste aktive, ndërsa 40% prej tyre janë mërgimtarë nga shtetet amë.

Në Zvicër më së shumti pacientë në kujdes intensiv janë me prejardhje nga jashtë. Rreth 40% e të infektuarve janë nga Maqedonia dhe Kosova.
Ndërkaq në Tetovë gjendja epidemiologjike mbetet e rëndë. Gjithsej ka 116 pacientë të hospitalizuar, ndërsa në Gostivar momentalisht ka 1.330 raste aktive.