Maqedoni: Zgjerohen kapacitetet spitalore dhe shkurtohet koha e izolimit për të infektuarit me COVID-19

Periudha e izolimit ose karantinës për shkak të COVID-19 zvogëlohet në shtatë ditë, vendosi Qeveria në seancën e djeshme, pas rekomandimit të pardjeshëm të Shtabit kryesor koordinues të krizës të sjellë me propozim të Komisionit për mbrojtje nga sëmundjet infektuese për shkak të pasqyrës më të lehtë klinike që e shkakton varianti omikron.

Shërbimi qeveritar për shtyp dje kumtoi se Qeveria ka marrë vendim për zvogëlimin e periudhës së izolimit për personat tek të cilët përmes laboratorit është përcaktuar prani e KOVID-19, si edhe periudha e vetëizolimit/karantinës tek personat të cilët kanë pasur kontakt me një rast të konfirmuar të COVID-19.

“Në pajtim me këto rekomandime personat të cilët përmes laboratorit e kanë konfirmuar praninë e COVID-19 (me test PCR ose me test të shpejtë antigjen), ndërsa të cilët nuk kanë zhvilluar simptoma të sëmundjes, gjegjësisht janë raste asimptomatike të COVID-19 u caktohet izolim shtëpie prej shtatë ditësh nga dita e testimit. Pas përfundimit të periudhës së izolimit, tre ditë pas duhet respektim i rreptë i masave për mbrojtje personale (mbajtja e maskës mbrojtëse N95/FFP2 gjatë qëndrimit në hapësirë të mbyllur me persona të tjerë ose në hapësirë të hapur kur nuk mund të ruhet distancë prej dy metrash, dezinfektim të shpeshtë të duarve, shmangien e grupimit)”, njoftuan nga Qeveria.

Sipas vendimit të Qeverisë, për personat të cilët përmes laboratorit u është vërtetuar prani e COVID-19 (me test PCR ose test të shpejtë antigjen), ndërsa të cilët kanë zhvilluar pasqyrë klinike përkatëse me virusin, gjegjësisht janë raste simptomatike, duhet t’u caktohet izolim shtatë ditë nga dita e testimit si edhe tre ditë një pas një nëse personi është pa temperaturë trupore.

Sipas këtyre ndryshimeve, personat të cilët kanë pasur kontakt të afërt me raste të konfirmuara të COVID-19 shkojnë në vetëizolim/karantinë në shtëpi prej shtatë ditësh nga dita e kontaktit të fundit me rastin e konfirmuar, ndërsa pas përfundimit të periudhës së vetëizolimit/karantinës nevojitet edhe tri ditë shtesë rreptësisht t’i respektojnë masat për mbrojtje personale.

Përjashtim nga masa e vetëizolimit/karantinës, sipas vendimit të Qeverisë, duhet të ketë për ata persona të cilët e përmbushin njërin prej kritereve: Janë të vaksinuar me Kovid-19 vaksinë me dy ose tri doza, ndërsa nga doza e fundit të mos kenë kaluar mbi gjashtë muaj; Që e kanë kaluar COVID-19, ndërsa testi pozitiv të mos jetë mbi gjashtë muaj; Personat të cilët kanë kontakte të afërta, ndërsa të cilët për shkak të përmbushjes së kritereve të lartpërmendura janë përjashtuar nga vetëizolimi/karantina, në mënyrë të obligueshme duhet t’i respektojnë masat për mbrojte personale në periudhë prej 10 ditësh nga kontakti i fundit me rastin e konfirmuar.

Data e kontaktit të fundit me rastin e konfirmuar konsiderohet si dita zero, informojnë nga Qeveria.
Vendimi për shkurtimin e periudhës së izolimit pason pas rekomandimit që Qeveria ia dorëzoi dje Shtabit kryesor koordinues të krizave me propozimin e Komisionit për mbrojtje nga sëmundjet infektuese për shkak të pasqyrës më të lehtë klinike që e shkakton lloji omikron.
Ministria e Shëndetësisë paraprakisht informoi se në 24 orët e fundit nga 6.119 testime të bëra janë regjistruar 2.019 persona të infektuar me koronavirus.