Maqedoni, shtyhet mbajtja e dënimeve me burg për personat e dënuar deri tre vjet burg

Shtyhet ekzekutimi i akteve të dënimeve me burg për personat e dënuar me burgim deri në tre vjet, dhe atë deri më 1 shtator 2020, përveç rasteve ku ekziston rreziku i vjetërsimit të dënimit, parashikon dekreti i Ligjit, të miratuar nga Qeveria në seancën e 38-të të saj, në lidhje me zbatimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Deri në 1 shtator të vitit 2020, shtyhet ekzekutimi i akteve të dënimeve, të cilat tashmë janë paraqitur në institucionet e burgjeve, përveç akteve të dënimeve për të cilat tashmë janë lëshuar urdhrat e arrestit ndërkombëtar.

Personat të cilët gjenden në paraburgim, pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit do të dërgohen menjëherë për të vuajtur dënimin me burg.

Ky dekret, siç thuhet në deklaratën e qeverisë, është miratuar me qëllim të mbrojtjes nga përhapja e sëmundjes COVID-19 (coronavirus) në institucionet ndëshkimore.