Maqedoni: Shpenzimet minimale, nuk mund të mbulohen nga paga mesatare

Rritjet e çmimeve familjet e varfra i vë në një situatë edhe më të vështirë, pasi shumicën e parave do të duhet ta shpenzojnë për ushqim dhe nuk u mbetet shumë për të përmbushur nevojat tjera, gjë e cila rre*zikon kr*izën sociale në vend. Ekspertët deklarojnë se shpenzimet minimale të një familje katër anëtarëshe nuk mund të mbulohen nga paga mesatare në vend.

Industria e mishit ka njoftuar rritjen e çmimeve të produkteve të mishit nga 20 në 40 për qind. Edhe çmimi i naftës tashmë është rritur ndjeshëm, ndërsa rritje pak a shumë shohim edhe tek çmimet e pemë-perimeve. Rritjet e çmimeve familjet e varfra i vë në një situatë edhe më të vështirë, pasi shumicën e parave do të duhet ta shpenzojnë për ushqim dhe nuk u mbetet shumë për të përmbushur nevojat tjera, gjë e cila rre*zikon krizën sociale në vend. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare në vend është 27.948 denarë, apo 742 denarë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, ndërsa shporta konsumatore është 33.772 denarë që i bie 831 denarë më e lartë se vitin e kaluar.

Ekspertët deklarojnë se shpenzimet minimale të një familje katër anëtarëshe nuk mund të mbulohen nga paga mesatare në vend. Neritan Turkeshi, profesor i ekonomisë, pohon se me paga mujore shërben vetëm për plotësimin e nevojave themelore.
“Shqetësimi i qytetarëve drejtohet nga struktura e konsumit tonë dhe mendoj se më e rëndësishmja është inflacioni personal. Standardi është i ulët, sepse shporta e konsumatorit në pjesën më të madhe, apo 43 për qind është për ushqime dhe pije, ndërsa ajo evropiane është rreth 13 për qind. Nëse përfshijmë strehimin, ushqimin dhe veshmbathjen, kjo tregon se jetojmë për nevoja themelore dhe jo për më shumë”, shpjegon profesori Turkeshi.

Nëse bëjmë një krahasim me tre muajt e parë të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, do të shohim se çmimet e ushqimeve dhe pijeve janë rritur me 2 për qind, që nuk i bie aq shumë, por nëse e llogarisim çmimin e vajit të gatimit që ka rritje me gati 14 për qind, bukës, mishit dhe pemëve me rreth 3 për qind, do të thotë se kjo rritje është e pashmangshme. Harxhimet shtëpiake në total janë rritur me 5 për qind, energjia elektrike është rritur me 7.5 për qind.

Të gjitha kostot e mirëmbajtjes së shtëpive u rritën me rreth 3 për qind, kostot e kujdesit shëndetësor me 4 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 27 për qind. Shumica e këtyre kostove drastike prekin në xhepin e të gjithë qytetarëve. Shkalla mesatare e inflacionit nuk është aq e lartë, pothuajse me vetëm 2 për qind, por kur llogaritet konsumi personal, për shembull – ka pacientë që përdorin shumë ilaçe, atëherë inflacioni i tyre është me 15 për qind.

Blagica Petreski, drejtore e Institutit për Çështje Ekonomike dhe Politikave “Finance Think”, thotë se gjatë analizës së shportës konsumatore, determinohen dy aspektet më të rëndësishme: cili është trendi i rritjes së çmimeve krahasuar me trendin e pagës mesatare, pra sa është ndryshimi, nëse ka një mungesë apo një tepricë, dhe së dyti – cilat janë strukturat dhe ndryshimet. “Sipas të dhënave të fundit, shporta minimale e konsumatorit në mars arriti në 33.772 denarë, dhe krahasuar me vitin e kaluar – ka një rritje prej 2.5 për qind. Nëse analizojmë në një periudhë pesë vjeçare, do të vërejmë se shporta minimale e konsumit ka një trend rritjeje.

Dhe për pesë vjet ajo është rritur me rreth 2 për qind. Paralelisht me këtë rritje, paga mesatare neto tregon një trend rritjeje. Por rritja e pagave është më e lartë. Pra, në vitin 2015, paga mesatare neto mbuloi 67 për qind të shportës minimale të konsumatorit, ndërsa në vitin 2020 mbulimi ishte 83 për qind, që është një trend pozitiv “, tha Petreski. Sipas saj, megjithatë shportë konsumatore minimale nuk mund të përballohet nga të gjitha familjet. Dhe ky është veçanërisht një problem për familjet me shumë anëtarë dhe ato me të ardhura minimale.

Profesor Turkeshi thotë se go*ditje dhe pasoja më dramatike do të ketë për më të varfrit. “Në teoritë ekonomike është një fakt i njohur – që në vendet e varfra shumica e fondeve shkojnë për ushqim. Kështu matet standardi i jetesës së qytetarëve. Aq më e lartë është pjesa e ushqimit në kostot totale, vendi është më i varfër, dhe Maqedonia konsiderohet një vend i varfër, me një përqindje të lartë të ushqimit në kostot totale të jetesës”, thekson Turkeshi. Nga Banka Popullore informojnë se rritja e çmimeve kryesisht ka të bëjë me ndryshimin e madh të çmimeve të produkteve elementare në tregun ndërkombëtar, që është e theksuar për shkak të kr*izës shëndetësore-ekonomike dhe zhvillimin e paparashikuar të pandemisë.