Maqedoni: Politikanët mund të udhëtojnë jashtë shtetit, pas kthimit nuk do të futen në karantinë

Qeveria në seancën e sotme mori vendimin që të lejojë politikanët të udhëtojnë jashtë shtetit, ndërsa pas kthimit të tyre të mos futen në karantinë të detyruar. Këtë e bëri të ditur kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski, i cili tha se funksionarët shtetërorë gjatë udhëtimit duhet t’i respektojnë rekomandimet dhe protokollet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.

“Qeveria mori vendim që të lejojë udhëtimet jashtë vendit për funksionarët dhe personat e emëruar në vende të jashtme duke respektuar rekomandimet dhe protokollet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse. Për shkak të koordinimit dhe aktiviteteve të tjera të punës që lidhen me masat për Covid-19, si dhe arsye të tjera urgjente që nuk durojnë prolongime pa zbatimin e këtyre personave në karantinën shtetërore, pas kthimit të tyre në vend”, ka deklaruar Spasovski.

Edhe më tej vazhdon të mbetet në fuqi vendimi, me të cilin të gjithë qytetarët e vendit, të cilët kthehen nga jashtë nga vendet më rrezik më të lartë, të mesëm ose të ulët, të futen në karantinë shtetërorë, ku duhet të qëndrojnë për 14 ditë. Objektet ku do të mbahet karantina shtetërore ruhen nga policia dhe ushtria.