Maqedoni: Nuk funksionuan masat e qeverisë për uljen e marzhit dhe TVSH-së

Masat e qeverisë kanë dështuar për të ulur çmimet e mallrave. Në raftet e marketeve vërehet një ulje prej 7 deri në 9 denarë për vajin e gatimit dhe brumërat, por për produktet tjera ulja është pothuajse e padukshme.

Çmimet e bukës, miellit, vezëve, qumështit, sheqerit, përveç marzhës së kufizuar tregtar dhe heqjes së shpenzimeve shtesë, shiten për një deri në tre denarë më lirë.

Qytetarët thonë se çmimet ndryshojnë nga dita në ditë. Produktet janë më të shtrenjta ndërsa çmimet nuk ulen.

Edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se masat nuk e kanë arritur efektin në uljen e çmimeve. Ai nuk përjashton mundësinë e një mase për ngrirjen e plotë të çmimeve apo vendimi aktual të zgjerohet javën e ardhshme.

“A janë ulur çmimet sipas pritshmërive tona, të them të drejtën jo, por vendimi do të zgjerohet më tej, ndoshta do të jetë javën e ardhshme sepse nuk kishte kohë për t’u harmonizuar çmimet. Këtë javë do të bëhet analizë nga dita e zbatimit të vendimit dhe javën e ardhshme ndoshta do të zgjerohet dhe ndryshohet sipas mënyrës se si bëhet tregtia”, deklaroi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Për shkak të goditjeve të çmimeve, qeveria sot në një seancë miratoi propozim-ligj të ri për konsumatorët, i cili do të dorëzohet në Kuvend, me çka do të dënohen tregtarët me gjoba deri në 10 mijë euro, si dhe propozohet mbyllja e bizneseve deri në dy vjet nëse i rrisin në mënyrë të pandershme çmimet e produkteve./Alsat/