Maqedoni: Mund të vendosen masa në kufi për shkak të llojit “Delta”

Pas përhapjes së llojit indian të coronavirusit në Maqedoni, mund të ketë masa kufizuese në kufi gjatë hyrjes në vend, por jo edhe riorganizim të asaj që funksionon tani, siç janë institucionet që punojnë me protokolle.
Deri ditën e djeshme në RMV janë regjistruar dhjetë raste me llojin Delta, ndërsa gjithsej në vend ka 141 raste aktive me COVID-19.

Deri në fund të javës Komisioni për Sëmundje Infektive do të vendosë nëse do të ketë masa në kufi për hyrje në vend, nëse do të kërkohet test PCR, vërtetim për vaksinim ose për kalim të COVID-19.
Nëse vendosen masa, të njëjtat do të vlejnë edhe për shtetasit e RMV-së të cilët kthehen në vend nga shtetet tjera.
“Nëse kjo vendoset pasi ka vlerë epidemiologjike, do të vlejë për të gjithë”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ndryshe, autoritetet shëndetësore nga e hëna kanë paralajmëruar fillimin e vaksinimit në terren dhe pa termine.