Maqedoni – Lajmi i rremë shkakton kolona para pompave të benzinës

Në Kumanovë, Shtip dhe qytete tjera në Maqedoni gjatë ditës së sotme janë vërejtur kolona të krijuara nëpër pompat e benzinës, pas qarkullimit të një lajmi të rrejshëm. Lajmi i rrejshëm ishte se gjatë ditëve të ardhshme nuk do të ketë sasi të mjaftueshme të naftës dhe lajmi se do të ketë rritje drastike të çmimeve. Lajmi ishte përhapur përmes rrjeteve sociale.

Asnjë institucion apo kompani nuk ka bërë të ditur apo përhapur lajmin se çmimet e derivateve te naftës do të rriten ndjeshëm apo se do të ketë restriksione, për shkak të nevojave për rezerva. Kompania e njohur “Makpetrol” njofton konsumatorët se nuk ka kufizime dhe ndërprerje në furnizimin me derivate në pompat e kësaj kompanie, përkundër faktit se Makpetrol në këtë moment është duke operuar me humbje.
Kompania apelon tek konsumatorët që për arsye sigurie të mos grumbullojnë karburant në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e përgjithshme e qytetarëve.

“Në pikat e karburantit të Makpetrol ka radhë makinash gjatë ditës dhe shoferët duan të furnizohen me karburant për shkak të informacioneve për rritjen e çmimit të karburanteve”, thonë nga kompania.
Jozyrtarisht mësohet se javën e ardhshme do të ketë rritje të çmimeve të naftës, pas rritjeve në tregjet botërore për shkak të luftës në Ukrainë. Spekulimet që qarkullojnë flasin se rritja e ëmimeve pritet të jetë së paku 5 denarë deri në 10 denarë për litër. (INA)