Maqedoni: Komuna dhe qeveria nuk kanë bashkëpunim

Pushteti vendor dhe ai qendror javët e fundit me një sërë akuzash të ndërsjella te kush është faji dhe kush është përgjegjës për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara me rritjen e çmimit të energjisë elektrike me të cilat përballen qytetarët. Situata me transportin publik, rryma më e shtrenjtë dhe pasiguria me ngrohjen, janë pjesë e problemeve për të cilat autoritetet po e hedhin topin se kush është më kompetent për të gjetur zgjidhje. Komunikim i këtillë mes institucioneve e zvogëlon edhe më shumë besimin edhe ashtu të ulët të qytetarëve ndaj institucioneve. Nevojitet qasje e përbashkët për t’i zgjidhur problemet më lehtë, thotë analisti Marko Troshanovski.

“Ky komunikim është vazhdimësi e retorikës polarizuese apo stilit të komunikimit mes aktorëve politikë ndër vite, gjë që çon në situatë të ndarjeve të forta të brendshme mes popullatës dhe rënie të madhe të besimit në institucionet dhe sistemit. Te qytetarët krijohen ndjenjë apatie, mosbesimi dhe mbi të gjitha pamundësi për t’u përballur me situatën dhe kjo seriozisht ndikon në kohezionin në shoqëri”, deklaroi Marko Troshanovski, drejtor i Institutit për Demokraci.

Qeveria kërkoi nga Qyteti i Shkupit dhe komunat në qytet që të ndajnë buxhet në mënyrë që të mbulojnë një pjesë të shpenzimeve për faturat më të larta të ngrohjes. Por, Qyteti u deklarua jokompetent dhe ia kaloi përgjegjësinë Qeverisë. Javën e kaluar, edhe Ndërmarrja e Qarkullimit Publik kërkoi ndihmë shtetërore për të mbuluar shpenzimet e shtuara për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të metanit. Qeveria u përgjigj se përgjegjës për këtë është Qyteti i Shkupit. Edhe komunat kërkuan para nga buxheti qendror për të mbuluar një pjesë të faturave të energjisë elektrike, por deri më tani Qeveria nuk është përgjigjur zyrtarisht.