Maqedoni, komisionet e Kulturës nisin shqyrtimin e ankesave

Një muaj pas shpalljes së rezultateve të konkurseve vjetore për Programin vjetor me interes nacional 2022, në Ministrinë e Kulturës kanë filluar të nënshkruhen kontratat me fituesit, ndërsa paralelisht po depozitohen edhe ankesat për projektet e refuzuara dhe të pavlefshme. Të drejtën e rishqyrtimit e kanë ato aplikues projektet e të cilëve janë refuzuar, ose nuk janë mbështetur financiarisht në nivelin e duhur, të cilët ankesën ia adresojnë ministrisë dhe Komisionit shtetëror të shkallës së dytë për vendimmarrje në procedurat administrative (15 ditë pas marrjes së vendimit nga MK). Ankesat shqyrtohen nga Komisionet e kulturës dhe në Komisionin shtetëror, ku ankimi është një veprim krejtësisht formal dhe pa asnjë rezultat.

Edhe këtë vit, numri më i madh i ankesave janë në veprimtarinë e Botimit, Muzikës, Folklorit, ku pas shpalljes së rezultateve nga MK individë, shoqëri e shoqata reaguan për projektet e refuzuara dhe shumat e vogla që iu dedikuan, duke i cilësuar si politika diskriminuese ndaj kulturës shqiptare. Ansamblet folklorike (“Emin Duraku” – Shkup, “Xheladin Zeqiri” – Tetovë, “Bajram Shabani” – Kumanovë dhe “Ibe Palikuqi” – Shkup) iu drejtuan ministres së Kulturës me një letër të hapur ku kërkonin të rishikohen projektet e refuzuara.

Në veprimtarinë botuese pati reagime më të shumta ku botues akuzuan se janë miratuar projekte autorësh anonimë, shoqata fantome pa kurrfarë bagazhi artistik dhe janë miratuar projekte me konflikt interesi. Ministria e Kulturës nuk ka komentuar në asnjë rast, madje ka qenë e rezervuar të publikojë përqindjet që kanë marrë projektet që lidhen me kulturën shqiptare. Nga ana tjetër ministrja e Kulturës, Bisera Kostandinova Stojçevska gjatë shpalljes së rezultateve pati deklaruar se

“Duke mbështetur projekte cilësore me shuma reale, Ministria e Kulturës dëshiron të inkurajojë dhe nxisë aplikantët që në të ardhmen të fokusohen në këtë mundësi për të realizuar projektet e tyre. Fatkeqësisht, ka aplikime që nuk plotësojnë as titullin e konkursit. Këtë vit, në filtrin e komisioneve kanë rezultuar 3769 aplikime valide e për të cilat u akorduan një miliard e pesëdhjetë e tre milionë denarë, ose 66 milionë denarë më shumë sesa për Programin e vitit 2021.

Lidhur me gabimet në aplikim që u bënë shkas që të zgjatej afati i konkurrimit, Ministria e Kulturës u shfajësua duke deklaruar se përmbajtja e konkurseve, kushtet ishin më të sakta dhe kërkesat më specifike në krahasim me vitet e kaluara, por disa nga aplikantët nuk i kanë respektuar duke bërë që një numër i madh aplikimesh të shpalleshin të pavlefshme. MK këtë vit pati ankesa edhe sa i takon cilësisë së dobët së projekteve “online” në shumë veprimtari dhe aktivitete, alternativë që ka kosto të ulët mbledh më shumë publik dhe është zbatuar në botë që nga periudha e pandemisë.