Maqedoni: Kërkohet që qendrat tregtare të punojnë edhe të dielave

East Gate Mall, qendra më e madhe tregtare në rajon, në vjeshtë do të hapë dyert. Ndërtimi i saj është në fazë përfundimtare.
Për të parë se si po ecin punët, Kryeministri Zoran Zaev me disa ministra të kabinetit, të shoqëruar edhe nga përfaqësues të East Gate Mall, vizituan qendrën që shtrihet në 160 mijë metra katrorë.

Pritshmëritë janë që të jetë vendi më atraktiv jo vetëm për Maqedoninë, por edhe rajonin.
“Zgjedhje e gjerë e modës dhe brendeve të të gjitha kategorive, shërbime, vend për lojëra, 8 salla kinemaje, 7 restorante, sektor për ushqim të shpejtë me 800 vende për t’u ulur, hipermarket, mobilieri dhe teknikë e bardhë dhe do të jetë vendi i vetëm i rrethuar me parqe me sipërfaqe të mbi 12 mijë metra katrorë gjelbërim”, tha Igor Davkov – Drejtor Gjeneral i “East Gate Mall”.

Gjithsej pritet të jenë 250 brende ndërkombëtare e rajonale, disa për herë të parë vijnë në Maqedoni. Po sa do të mund që edhe të dielave qytetarët t’i marrin këto shërbime, kur Qeveria po parashikon që e diela të jetë ditë pushimi për biznesin. Kryeministri Zoran Zaev mendon se qendrat tregtare duhet të punojnë edhe në ditën e fundit të javës.

“Unë mendoj se duhet të punojnë të dielën, por gjithsesi jap shansin që ministrat bashkë me të gjitha palët, para së gjithash punëtorët, por edhe Odat, të vërtetojnë se cila është zgjidhja më e mirë. Nëse nuk punojnë qendrat tregtare në Shkup, tanët do të ikin në Kosovë dhe Serbi, e nëse punojnë, ata do të vijnë këtu të dielën, e përskaj kësaj duhet përcaktuar se si është në përputhje me të drejtat e punëtorëve”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ajo e Punës e Politikës sociale Jagoda Shahpaska, kanë qëndrime të ndryshme rreth idesë që edhe qendrat tregtare të dielën të mos punojnë. I pari i ekonomisë kërkon që kjo punë të shikohet me vëmendje sepse janë pikërisht këto qendra që fundjavave sjellin numër të madh turistësh në vend. Ndërkaq ministria Shahpaska është e qëndrimit që fusha e tregtisë të dielën të mos punojë. Kryeministri Zaev tha se nga të dy ministrat ka marrë zgjidhje kreative, ndërsa është në pritje të një zgjidhjeje të mesme, për shembull puna të dielën të jetë me orar të shkurtuar.