Maqedoni: Eksportet u rritën me 17.5 përqind, ndërsa importet me 37 përqind

ilustrim

Nga fillimi i vitit 2021 deri në fund të nëntorit, kompanitë aktive në Zonat e Zhvillimit Industrial Teknologjik arritën eksporte prej 2 miliardë e 734 milionë eurosh, që, siç bën të ditur TIDZ, është më i larti krahasuar me të njëjtën periudhë të katër viteve të fundit.

Sipas analizës, eksportet totale në njëmbëdhjetë muajt e parë janë 17.5 për qind më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 7.5 për qind më të larta krahasuar me periudhën janar-nëntor 2019 dhe gati 23 për qind më të larta krahasuar me vitin 2018. Vetëm në muajin nëntor, kompanitë aktive në zona realizuan eksporte prej 251 milionë eurosh, që është në të njëjtin nivel me nëntorin 2020, ndërsa 2 për qind më shumë se i njëjti muaj i vitit 2019, ose 13 për qind më shumë krahasuar me nëntorin 2018.

Në periudhën e analizuar është regjistruar rritje e importeve krahasuar me të njëjtën periudhë të katër viteve të fundit. Importet nga janari në nëntor janë 2 miliardë e 653 milionë euro, që është 37 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me vitin 2019 rritja është 13 për qind, përkatësisht 39 për qind rritje krahasuar me vitin 2018. Importet vetëm për muajin nëntor janë 211 milionë euro. Krahasuar vetëm me nëntorin 2020 dhe 2019, ka një rënie prej 5 për qind, ndërsa në krahasim me nëntorin 2018, rënia është 13 për qind.

Në muajin nëntor u regjistrua niveli më i lartë i eksporteve neto që nga fillimi i vitit – mbi 19 për qind, që sipas TIDZ-së, është tregues i rimëkëmbjes dhe kthimit të kompanive në nivelet para pandemisë. Numri i të punësuarve është i qëndrueshëm dhe mbetet brenda mesatares vjetore./Telegrafi/