Maqedoni e Veriut, sot skadon afati për shtrimin e kandidaturave për president


Deri sot në mesnatë përfundon afati deri kur kandidatët për president të shtetit duhet t’i dorëzojnë kandidaturat në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Kandidaturën tashmë e ka dorëzuar Blerim Reka, kandidat i opozitës shqiptare ndërsa pritet këtë ta bëjnë edhe Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së dhe koalicionit dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.

Për zyrtarizimin e kandidaturës presidenciale është e nevojshme kandidatët t’i dorëzojnë 10.000 nënshkrime të qytetarëve apo 30 nënshkrime të deputetëve me ç’rast KSHZ duhet në afat prej 48 orësh prej dorëzimit, ta konfirmojë kandidaturën. Nëse ka parregullsi, e njëjta kthehet, me çka në afat prej 48 orësh duhet të hiqen parregullsitë.

Fushata për president të shtetit fillon më 1 prill dhe do të zgjasë deri më 19 prill me çka pason heshtja zgjedhore. Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale është caktuar për më 21 prill, ndërsa i dyti do të mbahet më 5 maj. Sipas cilit numër rendor do të jenë kandidatët, KSHZ do ta përcaktojë më 25 mars me anë të shortit. Raund të dytë të votimit do të ketë nëse asnjë kandidat për president nuk e fiton shumicën e nevojshme të votave.