Maqedoni e Veriut: Çdo i dyti adoleshent shpreh probleme të shëndetit mendor

Pothuajse gjysma e fëmijëve nga mosha 11 deri në 15 vjeç në Maqedoninë e Veriut, që janë anketuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, janë shprehur se kanë probleme që lidhen me shëndetin mendor.

Në raportin e Zyrës për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thuhet se të anketuarit kanë shprehur pakënaqësi të ndryshme, si simptoma psikosomatike (kokëdhimbje, dhimbje të stomakut, nervozë, probleme me gjumin, mungesë të disponimit si dhe pakënaqësi të tjera.

Në bazë të këtij studimi, që ka të bëjë me shëndetin mendor të fëmijëve të moshave shkollore, 45 për qind e vajzave 15 vjeçe kanë pasur simptoma depresive për më shumë se dy javë rresht, përderisa 34 për qind e vajzave të kësaj moshe janë shprehur se ndihen të paafta për ta tejkaluar këtë gjendje depresive.

Kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, Bledi Hodai, thotë për Radion Evropa e Lirë se goditja më e madhe emocionale që marrin të rinjtë është si rrjedhojë e mosbesimit që shpreh rrethi dhe institucionet ndaj kapacitetit të tyre.

“Një ndër fajtorët më të mëdhenj, sa i përket vetëbesimit të ulët, depresionit dhe problemeve psikologjike te të rinjtë është aspekti i shoqërisë. Shoqëria jonë vazhdimisht i demotivon të rinjtë, vazhdimisht i ofendon dhe i linçon në momentin kur ata dëshirojnë të bëjnë diçka, edhe pse në moshë të re. Kjo dukuri shfaqet në rrethin ku ata jetojnë dhe më pas vazhdon edhe me mënyrën e funksionimit të institucioneve të shtetit, sepse liderët tanë, përfaqësuesit politikë dhe ata që udhëheqin me shtetin, nuk ju intereson gjendja psikike, përkatësisht gjendja emocionale e të rinjve”, thotë Hodai.