Maqedoni: Dje thanë se kanë arritur marrëveshje, sot “Rezistenca studentore” paralajmëron protestë të re më 17 nëntor

Pasi një pjesë e studentëve dolën dje se arritën të luftonin për të drejtat e tyre për pagesën e vaktit të studentëve sipas kritereve të vjetra, sot ka një njoftim të ri nga “Rezistenca Studentore”, krejtësisht në kundërshtim me deklaratat e djeshme.

“Rezistenca studentore” – organizatori i protestës së djeshme para Kuvendit, nuk është shprehur i kënaqur me marrëveshjen e arritur në takimin në Kuvend mes studentëve – përfaqësuesve të asambleve universitare me deputetët dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe bënë thirrje për protestë të re, të enjten, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Njoftojmë publikisht se nuk jemi të kënaqur me rezultatin përfundimtar dhe vendimet që janë marrë. Ne si studentë qëndrojmë në kërkesat tona: Ndarja e mjeteve nga buxheti për rritjen e shumës së ushqimit të subvencionuar të studentëve nga 120 denarë në 150 denarë në ditë; Ndarja e fondeve nga buxheti për barazimin e shumës së bursave në përputhje me ndryshimet nga rritja e fundit e bursave”.

Reklama

“Ndarja e fondeve për rinovimin dhe sigurimin e kushteve normale të jetesës në konviktet e studentëve, një plan afatgjatë për krijimin e “qyteteve studentore” dhe ndalimin e privatizimit të paralajmëruar të konvikteve studentore dhe ndarjen e fondeve të mjaftueshme për të përjashtuar studentët nga Masat antikrizë të qeverisë për racionalizimin dhe kursimin e energjisë elektrike”, shpallën mbrëmë “Rezistenca Studentore” duke paralajmëruar protestë të re për 17 nëntor”.

Pas takimit të mbrëmshëm në Kuvend ndërmjet përfaqësuesve të parlamenteve studentore, deputetëve dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, u dakordua që studentët të marrin subvencionimin për ushqimin e studentëve sipas kushteve të vjetra, ndërsa deri në mars një grup pune do të gjente zgjidhje sistematike për një ligj të ri. U morën parasysh edhe aspekte të tjera të standardit studentor, mbi të gjitha përmirësimi i kushteve në konviktet studentore./Telegrafi/