Maqedoni, deputetët rikthehen në Parlament javën e ardhshme?

Iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dje u gjet para gjykatësve kushtetues, por në bazë të diskutimeve të gjykatësve, si dhe për shkak të rëndësisë së lëndës, seanca do të vazhdojë në ditët në vijim, informojnë nga Gjykata kushtetuese.

“Gjykata kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot ka mbajtur seancë në të cilën pika e vetme e rendit të ditës ishte shqyrtimi i iniciativës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (‘gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut’ nr.43/2020).

Në bazë të diskutimeve të gjykatësve, si dhe për shkak të rëndësisë së lëndës, u mor qëndrim që seanca të vazhdojë në ditët në vijim për çka opinioni do të njoftohet në kohë”, qëndron në kumtesën e Gjykatës kushtetuese.

Gazeta Lajm merr vesh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, qoftë pozitiv, ose negativ, me shumë gjasë do të sillet gjatë javës së ardhshme.

Ekspertët që kemi konsultuar thonë se në rast se Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin për shpërndarje të Parlamentit, me automatizëm riaktivizohet mandati i deputetëve të përbërjes së fundit parlamentare dhe ata kthehen sërish në bankat e Parlamentit.

Nga Gjykata kushtetuese informojnë se edhe në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme vazhdon që t’i kryejë kompetencat e veta kushtetuese dhe e ndjek dhe e analizon situatën me sjelljen e dekreteve me fuqi ligjore nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. .